Qeveria e Kosovës rrit pagën minimale, Kurti: 2 euro/orë pune apo 350 euro/muaj

Kosovë | 2 vite më parë

Më shumë se 150 mijë punëmarrës në Kosovë përfitojnë nga vendimi më i fundit I qeverisë për rritjen e pagës minimale në 350 euro. Vendimi vjen disa ditë pas hyrjes në fuqi të rritjes nga 170 në 264 euro bruto i kësaj page, i cili ishte bllokuar dhe vonuar nga Kuvendi.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, ky nivel nuk ishte i mjaftueshëm duke pasur parasysh rritjen e kostos së jetesës dhe zhvillimet e dy viteve të fundit. 

“Procedimi i atëhershëm për pagën minimale ishte 264 euro bruto në muaj që përbënte një rritje substanciale prej 103 për qind për moshat 35 vjeç, krahasuar me pagën minimale paraprake. Por që nga ai propozim, ligji u bllokua në kuvend nga opozita dhe pastaj u dërgua në Gjykatë Kushtetuese ku u vonua për 11 muaj. Marrë parasysh këtë distancë kohore edhe niveli prej 264 euro sot duket i vjetruar dhe i pamjaftueshëm. Prandaj sot do të miratojmë një nivel tjetër që reflekton zhvillimet e këtyre dy viteve dhe realitetin në shoqëri. Niveli i ri pagës minimale do të jetë 2 euro për orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Kjo pagë minimale e re do të prek mbi 150 mijë të punësuar që punojnë me paga më të ulëta se 350 euro në muaj,” tha ai.

Niveli i ri i pagës minimale do të hyjë në fuqi në datën 1 tetor në mënyrë që t’i jepet kohë bizneseve dhe organizatave të tjera që të bëjnë përshtatjet e nevojshme.

Deri tani Kosova ka pasur pagën më të ulët minimale në Europë, 170 euro. Ndërkohë, një tjetër projektligj i miratuar gjatë mbledhjes së qeverisë ishte edhe ai për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, që sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, përcakton për herë të parë rregullat për listën e barnave të rimbursueshme.

Me këtë projektligj gjithashtu rregullohet edhe çështja e mbledhjes së kontributeve së qytetarëve për fondin e sigurimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme