Sekuestrohen uniforma ushtarake serbe në veri të Kosovës

Në një reagim pas operacionit të një dite më parë në komunën e Leposaviçit, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë. “Pas informacioneve inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviçit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”, – shkruan Sveçla.
Më tej ai shtoi se falë gatishmërisë së të gjitha institucioneve të sigurisë së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit po parandalohet dhe luftohet me sukses. “Është detyrë dhe detyrimi ynë shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim të vendit do të shkatërrohen përgjithmonë”, – shkruan ministri i Brendshëm i Kosovës.
Policia e Kosovës gjatë të premtes zhvilloi kontrolle në komunën veriore të Leposaviç, ku në një shtëpi gjetën dhe sekuestruan uniforma të ndryshme mes tyre edhe veshje ushtarake dhe të policisë serbe.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




