Pluhuri saharian mbulon Athinën, krijon mjegull ngjyrë portokalli, rrit rrezikun e zjarreve

Rajon | 3 vite më parë

Athina u mbulua nga një mjegull ngjyrë portokalli për shkak të reve të pluhurit që vinin nga shkretëtira e Saharasë.  Ko nuk është hera e parë që Greqia përballet me një fenomen të tillë. Re të pluhurit saharian kanë mbuluar zona të vendit fqinjë, por dhe të Zvicrës dhe Francës jugore edhe në muajin mars dhe prill. 

Cilësia e ajrit  u përkeqësua ndjeshëm në shumë pjesë të Greqisë dhe mëngjesin e së mërkurës Akropoli nuk ishte më i dukshëm për shkak të pluhurit që vinte nga shkretëtira afrikane. Grekëve me problem me frymëmarrjen iu këshillua të qëndronin në shtëpi, të mbanin maska mbrojtëse dhe të shmangin ushtrimet fizike në ambiente të jashtme derisa situata të ndryshonte. 

Shkretëtira e Saharasë lëshon çdo vit 60 deri në 200 milionë tonë pluhur mineral, pjesa më e madhe e të cilit bie sërish mbi tokë, por disa nga grimcat e vogla mund të udhëtojnë në distance të mëdha, dhe disa herë mbërrijnë në Europë. 

Ndërkohë, kombinimi I këtij pluhuri dhe temperaturat e larta e bënë atmosferën veçanërisht mbytëse në jug të Greqisë.  Gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 25 vatra zjarri.  Një vatër u regjistrua pranë një baze detare në ishullin e Kretës, ku temperaturat shkuan mbi 30 grade celsius dhe banorët e zonës u evakuuan nga banesat e tyre.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme