Zagreb- Mijëra protestues anti- qeveritar kërkojnë zgjedhje të menjëhershme

Rajon | 3 vite më parë

Mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Kroacisë të shtunën, duke akuzuar partinë qeverisëse të qendrës së djathtë për korrupsion. Ata kërkuan që zgjedhjet parlamentare të këtij viti të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur.

Protesta në Zagreb u organizua nga 11 parti opozitare të qendrës dhe të majta, dhe dëshmon për rritjen e tensioneve politike në vendin anëtar të Bashkimit Evropian.

Kroacia do të mbajë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale në vitin 2024, si dhe ato për Parlamentin Evropian në fillim të qershorit. Datat e votimeve të brendshme nuk janë përcaktuar ende.

Partitë opozitare kërkojnë që votimi parlamentar të mbahet menjëherë. Ata kanë paraqitur një kërkesë zyrtare për të shpërndarë parlamentin e Kroacisë mes një debati rreth zgjedhjes së avokatit të ri shtetëror të vendit.

Kryeministri Andrej Plenkoviç ka mbrojtur emërimin e fundit të ish-gjyqtarit, Ivan Turudic në këtë post, pavarësisht raporteve për komunikimin e tij me njerëz të përfshirë në korrupsion.

Plenkoviç dhe Bashkimi i tij Demokratik Kroat nacionalist kanë qeverisur Kroacinë për vite me radhë.

Vendi iu bashkua BE-së në vitin 2013, pas një epoke luftërash dhe krizash. Vitin e kaluar Kroacia iu bashkua zonës së udhëtimit pa viza në Evropë dhe tregut të monedhës së përbashkët.

Kundërshtarët e qeverisë në tubimin e së shtunës – më i madhi kundër Plenkoviçit në vite – valëvitën flamuj dhe postera ku shkruhej: “Mjaft!”

Turma shau dhe tallej me përmendjen e kryeministrit dhe partisë së tij, duke thirrur “shko!” dhe “Zgjedhjet tani!”

Davorko Vidovic, i partisë Socialdemokrate, hapi fjalimin e tij duke nderuar Alexei Navalny, liderin kryesor të opozitës ruse, i cili vdiq të premten në një burg të largët.

Vidoviç më pas akuzoi Plenkoviçin për frenimin e lirive demokratike në Kroaci.

“Fuqia jonë është në lapsat tanë, në duart tona”, tha ai duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme.

“Toka jonë dhe njerëzit tanë meritojnë vendimin më të mirë. Ne nuk duhet të lejojmë që ata të na çojnë në një autokraci.”

Sandra Bencic, nga grupi Mozemo, ose Ne Mundemi, që mban pushtetin komunal në Zagreb, nënvizoi eksodin e vazhdueshëm nga Kroacia të të rinjve drejt vendeve më të pasura të BE-së.

Ajo u bëri thirrje njerëzve që në vend të ikjes “të shkojnë në qendrat e votimit”.

“Le të ikin ata që duhet të shkojnë! Nuk jeni ju ata që duhet të largoheni”, tha ajo.

Kroacia, një komb me rreth 3.8 milionë banorë, mbetet një nga ekonomitë më të varfra në BE, duke mbijetuar kryesisht nga turizmi përgjatë vijës së bukur bregdetare të vendit të Detit Adriatik që tërheq miliona vizitorë çdo vit. AP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme