Vuçiç: Situata e sigurisë në Kosovë është komplekse, reagimet e OKB-së janë të rëndësishme

Rajon | 4 vite më parë

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka pritur në një takim përfaqësuesen speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe kreun e UNMIK-ut, Karolin Zijade, me të cilin diskutoi për seancën e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën do të paraqitet raporti për punën e UNMIK-ut, si dhe do të prezantohet qëndrimi i serbëve në Kosovë dhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Vuçiç deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë është komplekse dhe në këtë kontekst ai theksoi se e konsideron të rëndësishme që të ketë një reagim në kohë nga OKB-ja ndaj incidenteve të shumta, provokimeve dhe akteve të njëanshme të Prishtinës që shkelin Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raporton Tanjug.

Vuçiç përsëriti se Serbia insiston në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sakaq, Presidenti Vuçiç, kryeministrja Ana Brabic dhe anëtarë të kabinetit qeveritar do të takohen të enjten (14 prill) me përfaqësues politik të serbëve në Kosovë për të diskutuar lidhur me konkluzionet politike që duhen arritur.

“Duhet të shohim se çfarë do të bëjmë në periudhën e ardhshme, duke qenë se presidenti Vuçiç kishte konkluzionet e veta, por kur i dëgjoi serbët dhe çfarë kërkonin dhe se ata ishin shumë më të rreptë në kërkesat e tyre, ai hoqi dorë nga propozimet e tij. Prandaj do të shohim së bashku se cilat janë propozimet dhe konkluzionet që do të nxjerrim”, tha Petkoviç.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme