Rriten tensionet në Kosovë, serbët vendosin barrikada të reja, Vuçiç negociata me SHBA dhe BE

Serbët ngritën sot më shumë postblloqe në veri të Kosovës, si dhe kundërshtuan kërkesat e ndërkombëtarëve për të hequr ato që kishin vendosur ditë më parë. Shtimi i postoblloqeve u bë një ditë pasi Serbia vendosi trupat e saj pranë kufirit me Kosovën, në një nivel të lartë të gatishmërie luftarake.
Barrierat e reja, të bëra nga kamionë të ngarkuar rëndë, u vendosën gjatë natës në Mitrovicë, një qytet verior i Kosovës i ndarë midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve etnikë, të cilët përfaqësojnë shumicën në Kosovë në tërësi.
Ishte hera e parë që nga fillimi i krizës së fundit, që serbët kanë bllokuar rrugët në një nga qytetet kryesore të Kosovës. Deri më tani barrikadat ishin vendosur në rrugët që të çojnë në kufirin Kosovë-Serbi.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka urdhëruar gjendjen më të lartë të gatishmërisë së ushtrisë për të “mbrojtur popullin tonë (në Kosovë) dhe për të ruajtur Serbinë”.
Ai deklaroi se Prishtina po përgatitet të “sulmojë” serbët e Kosovës në veri të vendit dhe të heqë me forcë disa prej postblloqeve që serbët filluan ti vendosin 18 ditë më parë për të protestuar kundër arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës.
Sot, Vuçiç dha një konferencë shtypi së bashku me patriarkun serb Porfirije, të cilit të hënën iu ndalua nga autoritetet e Kosovës të hynte në Kosovë dhe të vizitonte një kishë mesjetare serbe atje përpara Krishtlindjeve ortodokse serbe, e cila festohet më 7 janar.
Në mënyrën e tij të zakonshme, Vuçiç sulmoi Perëndimin dhe autoritetet etnike shqiptare të Kosovës se po komplotonin së bashku për të “shkaktuar trazira dhe vrarë serbët” që po mbajnë në këmbë barrikadat.
Megjithatë, ai tha se është duke negociuar me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së “për ruajtjen e paqes dhe gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi” për krizën aktuale.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiq refuzoi sot të komentojë pretendimet se Serbia kishte dërguar në Kosovë një numër njerëzish të armatosur, të cilët dyshohet se po drejtojnë vendosjen e barrikadave.
Zyrtarët e Kosovës kanë akuzuar Vuçiçin se ka përdorur mediat shtetërore të Serbisë për të nxitur tensione dhe për të shkaktuar incidente që mund të shërbejnë si pretekst për një ndërhyrje të armatosur në ish-krahinën serbe.
Petar Petkovic, një zyrtar i qeverisë serbe i ngarkuar për kontaktet me serbët e Kosovës, i tha televizionit shtetëror serb RTS se gatishmëria luftarake e trupave serbe ishte e lartë sepse Kosova kishte bërë të njëjtën gjë. Zyrtarët e Kosovës kanë mohuar se vendi ka ngritur nivelin e alarmit të sigurisë.
Petkovic pohoi se njësitë e Kosovës të armatosura rëndë duan të sulmojnë serbët e Kosovës, duke përfshirë “gratë, të moshuarit, fëmijët, burrat. Njerëzit tanë që në barrikada vetëm po mbrojnë të drejtën për të jetuar.”
Kosova u ka kërkuar paqeruajtësve të udhëhequr nga NATO të stacionuara atje që të heqin barrikadat dhe ka lënë të kuptohet se forcat e Prishtinës do ta bëjnë këtë nëse forcat e KFOR-it nuk reagojnë.
Rreth 4,000 paqeruajtës të udhëhequr nga NATO janë stacionuar në Kosovë që nga lufta e vitit 1999, e cila përfundoi me humbjen e kontrollit të Beogradit mbi territorin.
Çdo ndërhyrje e armatosur serbe në Kosovë ka të ngjarë të rezultonte në një përplasje me forcat e NATO-s dhe do të nënkuptonte një përshkallëzim të madh të tensioneve në Ballkan, i cili ende po lëkundet nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë në vitet 1990. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




