Përshkallëzohen tensionet, Serbia mendon të dërgojë 1.000 oficerë serbë në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, deklaroi sot se udhëheqja serbe ishte afër kërkesës për vendosjen e trupave të saj të sigurisë në Kosovë. Ajo pretendon se jetët e minoritetit serb në Kosovë po kërcënohen. Kthimi i trupave të Beogradit në Kosovë mund të rrisë në mënyrë dramatike tensionet në Ballkan.
Zyrtarët serbë pretendojnë se një rezolutë e OKB-së, që i dha fund zyrtarisht sulmeve të përgjakshme të ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve në Kosovës në vitin 1999, lejon që rreth 1,000 trupa serbe të kthehen në Kosovë.
NATO bombardoi Serbinë për t’i dhënë fund luftës dhe për të larguar trupat serbe nga Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO, që janë në Kosovë, do të duhet të japin dritën jeshile që trupat serbe të kthehen në Kosovë, diçka që ka shumë pak gjasa të ndodhë, sepse “de-fakto” do të nënkuptonte dorëzimin e sigurisë së rajoneve veriore të populluara nga serbët në Kosovë, në duart e forcave serbe.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, akuzoi forcën prej 4,000 trupash paqeruajtëse, e njohur si KFOR, për dështim në mbrojtjen e serbëve nga ngacmimet e dyshuara prej trupave të sigurisë së Kosovës. Ajo tha se 1,000 oficerë serbë duhet të kthehen në Kosovë.
Ajo akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se e ka sjellë rajonin “në prag” të një lufte tjetër.
“Ne jemi afër kërkesës për kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244, sepse KFOR-i nuk po e kryen punën e tij”- tha Brnabiq.
“Serbët nuk ndihen të sigurt dhe janë të kërcënuar fizikisht me jetë, përfshirë fëmijët në kopshte”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i’u përgjigj deklaratave duke thënë se “asnjë ushtar apo polic serb nuk do të shkelte më në tokën e Kosovës”.
“Kërcënimi i hapur për agresion policor dhe ushtarak nga Serbia dëshmon se politika hegjemoniste vazhdon”- ka thënë Osmani në rrjetet sociale.
“Kjo duhet të kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike.”
Një mision i Bashkimit Evropian i ngarkuar me mbështetjen e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë tha se 134 policë polakë, italianë dhe lituanezë, kanë zëvendësuar pjesërisht 576 policë serbë që dhanë dorëheqjen një muaj më parë.
Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) tha për Associated Press se ka shtuar patrullat e zbulimit në “të gjitha komunat veriore” në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe NATO/KFOR-in.
Por tha se nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës.
“Ne bëjmë thirrje për veprime dhe politika të përgjegjshme nga të gjitha palët për uljen e tensioneve. Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës lokale, siguria e së cilës është në rrezik për shkak të situatës aktuale”,- tha EULEX.
Tensionet kanë qenë të larta në Kosovë që kur ajo shpalli pavarësinë nga Serbia, pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve amerikanë për t’i zbutur ato.
Serbia, e mbështetur nga aleatët e saj Rusia dhe Kina, ka refuzuar ta njohë shtetin e Kosovës.
Kërkesa për vendosjen e trupave serbe erdhi një ditë pasi persona të armatosur e të panjohur, plagosën lehtë një oficer të zbatimit të ligjit në Kosovë.
Prezenca e policisë kosovare kohët e fundit është shtuar në zonat e mbizotëruara nga serbët në veri të Kosovës ku do të mbahen zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor.
Në fillim të kësaj jave, disa qendra zgjedhore u dëmtuan. U dëgjuan të shtëna me armë, gjë që rriti frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.
Vendimi i qeverisë së Kosovës për të ndaluar targat e lëshuara nga Serbia i shtyu ligjvënësit, prokurorët dhe policët serbë në komunat veriore të Kosovës, që të braktisin postet në fillim të nëntorit.
Muajin e kaluar, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të SHBA-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje që Serbia të ndalonte lëshimin e targave që tani përdoren në Kosovë, ndërsa Kosova do të ndalonte veprimet e mëtejshme për të mohuar riregjistrimin e automjeteve.
Bashkimi Evropian i ka kërkuar Serbisë dhe Kosovën që ti zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre, si dhe të normalizojnë marrëdhëniet për të qenë të pranueshëm për anëtarësim në BE.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë “mbetet vigjilent”. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




