Borrell takon Kurtin dhe Vuçiçin, BE flet për “pasoja të dëmshme”, nëse nuk punohet për qetësimin e situates

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell është takuar të premten në Paris me Kryeministrin Albin Kurti dhe me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Takimet janë realizuar ndaras, para nisjes së Forumit të Paqes në Paris.
Bashkimi Evropian ka lëshuar një komunikatë në lidhje me këto dy takime.
Qëllimi i takimit ishte që të adresohen sfidat më kritike në raportet e Kosovës me Serbinë. Diskutimet u fokusuan te ndihmesa e palëve që të gjejnë urgjentisht zgjidhje për krizën e tanishme dhe të sigurojnë paqe dhe stabilitet në terren, bëhet e ditur në komunikatën e BE-së.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Lajçak, përsëriti se palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive, të tregojnë gatishmëri për një kompromis dhe të respektojnë angazhimet e tyre të Dialogut. “Mjedisi momental gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshëm tejkalimin e së kaluarës dhe përfshirjen në negociata kuptimplotë në ato që kanë vërtetë rëndësi për Kosovën, Serbinë, qytetarët e tyre dhe gjithë rajonin – që është normalizimi i raporteve mes dy palëve, si faktori kyç për të ecur përpara në rrugën evropiane”, ka thënë Borrell.
Në komunikatën e BE-së thuhet se serbët e Kosovës duhet menjëherë të kthehen në institucionet kosovare dhe rimarrin detyrat e tyre dhe Kosova duhet të përputhë veprimet e saj për targat me marrëveshjen e mëparshme të dialogut, dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit, pa vonesa.
Këto obligime, të marra nga dialogu, mbeten të vlefshme dhe të obligueshme.
Borrell ka bërë thirrje që palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe retorika nxitëse. “Me luftën në Ukrainë, Evropa s’mund të ketë një tjetër konflikt”. Paaftësia për t’i përmbushur obligimet dhe për të ndalur eskalimit, do të ketë pasoja të dëmshme për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, për të ardhmen evropiane e të dyja palëve dhe për kredibilitetin e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë” bëhet e ditur në njoftim.
Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë shtetet anëtarë të BE-së të hënën në një takim të Këshillit për Punë të Jashtme, për diskutimet që i ka pasur dhe do të bëhet një analizë e situatës.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




