Situata në Kosovë, Stoltenberg bisedon me Kurtin dhe Vuçiç: I kërkova të përmbahen! NATO, vigjilente

Rajon | 4 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në lidhje me situatën e tensionuar të krijuar në veri të Kosovës, pas dorëheqjeve masive të zyrtarëve serbë nga institucionet dhe daljes nga Kuvendi të 11 deputetëve të Listës Serbe.

Në një postim në Twitter, Stoltenberg shkruan se i ka kërkuar të dy liderëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës. Po ashtu ai shton se e vetmja rrugë për zgjidhjen e këtij konflikti është dialogu, teksa thekson se NATO mbetet vigjilente.

“Fola me Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. I kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara. NATO mbetet vigjilente”, shkruan Stoltenberg.

Më 5 nëntor, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës. Ky vendim erdhi pasi autoritetet e Kosovës pushuan drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pasi ai refuzoi të zbatojë vendimin e qeverisë për targat.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zgjedhin rrugën e bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në përshkallëzim të situatës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme