Escobar: Nuk i takoj njerëzit e shpallur “non grata”, ata që përfundojnë në “Listën e Zezë” duhet ta marrin seriozisht këtë

Gabriel Escobar, i dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, ka folur për listën e të sanksionuarve nga Thesari i ShBA-ve. Ecobar në Kanal10, ka deklaruar se nuk takon askënd që është pjesë e asaj liste.
“Shikoni, ka arsye pse njerëzit përfundojnë në atë listë. Dhe, ky nuk është vendim politik, por është një vendim i disa agjencive financiare, institucionale dhe politike se kush përfundon në listë. Pozicioni ynë është që për njerëzit që përfundojnë në këtë listë, qeveritë dhe institucionet duhet ta marrin këtë seriozisht. Unë nuk takoj askënd që është në listë, as nuk pres që t’i takoj dhe mendoj se njerëzit e tillë duhet të trajtohen sipërfaqshëm.”, ka thënë ai.
Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë – çështje javësh
Escobar ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë, është çështje javësh. Ai ka thënë se u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesve të vendosin afatet kohore.
“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon.”, ka deklaruar ai.
E duam Kosovën në OKB, më e rëndësishmja njohja nga 5-ja e BE-së
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se ShBA-të e mirëpresin Kosovën të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ai ka deklaruar se ajo çka është më e rëndësishmja është njohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian.
“Ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane… Ajo që është e rëndësishme për Kosovën është që të nisni një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, duke përfshirë njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Kjo është më e rëndësishmja që mund të nxirrni se çfarëdo tjetër në proces.“, ka deklaruar ai. KANAL10
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




