Vuçiç: KFOR-i duhet të mbrojë serbët, jo të heq barrikadat në veri të Kosovës

Presidenti Vuçiç bëri të ditur se do i dërgojë një letër NATO-s lidhur me deklaratën e KFOR-it se nuk do të lejojë barrikadat në veri të Kosovës. Sipas Vuçiç kërcënimi i lirisë në veri nuk janë barrikadat, por qeveria që kërkon t’u vendos serbëve vizë për të shkuar në shtëpitë e tyre.
Vuçiç tha se letrën do ta dërgojë pas bisedimeve të ardhshme me ndërmjetësuesit e BE-së dhe SHBA-së, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, dhe se Serbia e interpreton ndryshe rolin e KFOR-it dhe NATO-s.
“Qëllimi juaj duhet të jetë mbrojtja e popullatës serbe, ata janë minoritet. Pse po i ndihmoni shqiptarët që të shtypin këtë minoritet. Pse, së bashku me shqiptarët po keqtrajtoni serbët, a është detyra juaj apo jo që të ndihmoni serbët”, tha Vuçiç.
KFOR-i ka deklaruar se nuk do të lejojnë barrikada në rrugët në Kosovë dhe se ky mision është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë.
Tensionet në veri të Kosovës nisën me vendosjen e reciprociteti të targave dhe dokumenteve serbe, vendim që u shty për t’u zbatuar më 1 shtator. Gjatë këtyre ditëve SHBA dhe BE përmes përfaqësuesve të tyre kanë zhvilluar takime me liderët e Serbisë dhe Kosovës për të arritur një kompromis për situatën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




