Mali i Zi, shkarkohet kryeministri Dritan Abazoviç

Kuvendi i Malit të Zi ka votuar me 50 vota pro dhe një kundër shkarkimin e qeverisë së Dritan Abazoviçit. Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.
Dritan Abazoviç ka pranuar humbjen ndërsa u shpreh se është krenar për çfarë ka bërë qeveria e tij.
“Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë në 100 ditë. Ne do të kujtohemi si qeveria që zgjati më pak, por që mori vendimet më të vështira. Ne jemi këtu për të vazhduar luftën së bashku për një Mal të Zi civil, demokratik dhe ekologjik”, tha Abazoviç pas votimit.
Dritan Abazoviç u zgjodh kryeministër i Malit të Zi më 28 prill.
Mocioni për rrëzimin e qeverisë erdhi fill pas marrëveshjes që Abazoviç nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe. Me anë të marrëveshjes, Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




