Seanca për mocionin e mosbesimit, Abazoviç ofron ristrukturimin e qeverisë: Ju pengon fakti se jam shqiptar

Në seancën ku po diskutohet për rrëzimin e Qeverisë, kryeministri malazez, Dritan Abazoviç, ofroi ristrukturimin e qeverisë së tij. Nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste popullore të Malit të Zi kanë nënshkruar iniciativën e Abazoviçit, e cila përmban parimet mbi të cilat duhet të bazohet qeveria e re. Referuar dokumentit të nënshkruar nga nëntë deputetë, i cili është publikuar nga Abazoviçi, bisedat për ristrukturimin e ekzekutivit malazez do të nisin pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Malit të Zi.
Parimet e dokumentit të nënshkruar përfshijnë: forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, reformën zgjedhore dhe reformat ekonomike, me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor, integrimet evropiane, bashkëpunimi rajonal dhe përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Gjatë fjalës së tij në seancë, Abazoviç iu drejtua deputetëve duke thënë se ata kërkonin rrëzimin e qeverisë së tij pikërisht për faktin se ai është shqiptar.
“Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë [shqiptar]. Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruajti kursin e politikës së jashtme”, tha ai.
Kuvendi i Malit të Zi do të votojë pro ose kundër shkarkimit të kryeministrit Dritan Abazoviç. Mocioni i mosbesimit ndaj Abazoviç është paraqitur nga partia e presidentit Milo Gjukanoviç dhe është firmosur nga 36 deputetë. Për të rrëzuar Qeverinë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga 81 që janë në Kuvend.
Mocioni për rrëzimin e qeverisë erdhi fill pas marrëveshjes që Abazoviç nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe. Me anë të marrëveshjes, Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




