Kurti takim me Escobar e Lajçak: Dialogu të trajtojë pengesat me Serbinë, s’heqim dorë nga reciprociteti

Rajon | 4 vite më parë

Vetëm pak orë para takimit me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një takim me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

I cilësuar nga Kurti si takim ‘përgatitor’ para takimit me Vuçiç, kryeministri i Kosovës bën të ditur se nuk heq dorë nga reciprociteti për targat e makinave, zbatimi i të cilit rriti tensionet në veri të vendit. Pas takimit me Lajçak dhe Escobar, Kurti tha se u diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat. Lidhur me zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje. Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar – me datën 1 gusht – se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”, tha Kurti

Ndërsa i dërguari i BE për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak  dhe i dërguari i SHBA për Ballkanin, Escobar thanë se dy vendet duhet të shmangin tensionet përmes dialogut.

“Do të kemi diskutime për marrëdhëniet e së ardhmes, si të arrihet normalizimi dhe do të diskutojmë çështjet aktuale. Ne kemi dy liderë me mandate demokratike dhe presim që ata të dedikohen në gjetjen e një zgjidhjeje që siguron se nuk do të ketë krizë”, tha Lajçak.

“Jemi në kërkim të zgjidhjeve që mundësojnë stabilitet rajonal”, ka Escobar.

Më herët gjatë ditës Kurti takoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme