Scholz: E duam Maqedoninë e Veriut si anëtare të BE

Rajon | 4 vite më parë

Ne e duam Maqedoninë e Veriut si anëtare të BE-së! Ky është titulli i mesazhit të përcjellë nga ambasada gjermane në Shkup, përmes të cilit kancelari gjerman Olaf Scholz i ka kërkuar Maqedonisë së Veriut që të mbështesë propozimin e presidencës franceze të Këshillit Europian që synon të tejkalohen problemet mes Shkupit dhe Sofjes dhe t’i hapet rrugë anëtarësimit të vendit të Ballkanit perëndimor në bashkimin europian.

“Vendi juaj ndodhet sërish para një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij: Dëshironi ta pranoni kompromisin europian? Kështu mund të mbahet më në fund konferenca e parë ndërqeveritare shtatëmbëdhjetë vjet pas dhënies së statusit të një vendi kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo do t’ju sjellë një hap shumë më afër anëtarësimit në BE dhe do të kapërcejë bllokadën”, shprehet ai.

Scholz vijon më tej duke u shprehur se e kupton frustrimin dhe padurimin e popullit të Maqedonisë së veriut dhe se I kupton dyshimet në lidhje me miratimin e propozimit francez, por sipas tij, kompromisi do të mundësonte hapjen e rrugës për anëtarësimin europian të vendit, ndërsa kujton se ky proces nuk do të jetë i lehtë.

“Dëshiroj të jem krejt i hapur me ju: edhe pas miratimit të këtij kompromisi procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë. Pengesa të tjera do të duhet të kapërcehen. Por unë them po ashtu: bashkë do t’i përballojmë detyrat që kemi përpara. Sepse ne ju duam si anëtarë të këtij Bashkimi Europian!”, vijon ai.

Në mesazhin e tij, kancelari gjerman gjithashtu iu  është drejtuar qytetarëve të vendit ballkanik që dyshojnë se propozimi francez prek gjuhën dhe identitetin e vendit, duke thënë se  ajo që e bën bashkimin europian të fortë është ruajtja e veçantisë kulturore, gjuhës dhe identiteti të çdo vendi anëtar. Ndërsa ka theksuar se ndonjëherë kompromiset kërkojnë lëshime, ai ka kujtuar se Bashkimi europian përbëhet nga kompromiset.

“Kompromis do të thotë që ndonjëherëtë bësh lëshime të dhimbshme. Bashkimi Europian përbëhet prej kompromisesh – ditë për ditë. Megjithatë, unë jam fort i bindur se madje kompromiset e vështira në fund na çojnë gjithmonë përpara dhe na bëjnë më të fortë. Ne jemi dhe mbetemi në anën tuaj”,- shkruan në mesash kancelari gjerman.

/rtsh/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme