Mali i Zi konfiskon duhan kontrabandë në vlerë prej miliona eurosh

“Kontrabanda e duhanit përmes portit të Tivarit është klinikisht e vdekur”. Kështu tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, teksa më 14 maj u krye një aksion në këtë port, duke u konfiskuar rreth 145,000 pako cigaresh.
Vlera e cigareve të sekuestruara vlerësohet se është dhjetëra-milionë euro.
“Kjo kurrë nuk ka qenë punë shtetërore, por një mashtrim i madh që është bërë. Sot ne po e përfundojmë këtë proces. Procesi i transportit do të fillojë dhe do të marrë kohë disa ditë. Siç kemi premtuar, ne do të luftojmë të gjitha llojet e krimeve dhe mafian”, tha Abazoviq.
Abazoviq, ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq, ai i brendshëm, Filip Azhiq, ministri pa portofol, Zoran Millaniq dhe drejtori i Doganava, Rade Millosheviq, morën pjesë në këtë aksion.
Vendimet për të ndaluar magazinimin e duhanit në Portin e Tivarit ishin ndërmarr në qershor dhe dhjetor të vitit të kaluar nga Qeveria paraprake e Zdravko Krivokapiq, dhe pronarëve të cigareve iu ishte dhënë afat që t’i largojnë ato nga depotë në këtë port.
Pasi afati për eksportin e produkteve të duhanit skadoi para disa muajsh, Dogana e Malit të Zi urdhëroi autoritetet në portin e Tivarit që të konfiskojnë produktet e duhanit që gjendeshin në depo. Abazoviq tha se qëllimi i këtij aksioni ishte që të krijohej një infrastrukturë ligjore, të shiteshin cigaret dhe të mbushej arka e shtetit nga tatimet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




