Vuçiç: Do rezistojmë sa të mundemi, s’do sanksionojmë Rusinë! Beogradi po paguan çmim të lartë për këtë vendim

Serbia nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e saj dhe refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë, pavarësisht “presionit” të Perëndimit. Kështu deklaroi Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se vendi i tij do të luftojë për aq kohë sa mundet që të mbajë këtë politikë, duke theksuar se Beogradi po paguan një çmim të lartë për mos mbështetjen e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.
Vuçiç tha se problemet e shkaktuara për ndjekjen e kësaj politike kanë të bëjnë me rinovimin e huave ndërkombëtare të Serbisë.
“Unë nuk po i kërkoj askujt të thotë ‘faleminderit’, ne po e bëjmë këtë për shkak të një qëndrimi të ndershëm ndaj vetes, vendit tonë, për shkak të respektit të ligjit ndërkombëtar. Ne e dimë se çfarë janë sanksionet dhe sa të padrejta dhe të panevojshme mund të jenë ato. Nuk kam asnjë iluzion, do të kishim jetuar shumë më mirë po t’i kishim mbështetur ato sanksione. Nuk e kemi bërë sepse po sillemi si shtet i pavarur”, theksoi presidenti serb.
Deklaratat e Vuçiç vijnë disa javë pasi ai paralajmëroi Bashkimin Evropian kundër presionit ndaj Beogradit për të ndjekur rrugën e Perëndimit dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Vuçiç ka deklaruar më parë se Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, megjithëse nuk do të vendoste sanksione ndaj Rusisë, ndërsa është kritikuar për këtë qëndrim të saj neutral./ Tass
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




