Banda frymore e Tiranës – Tradita kalohet nga brezi në brez në formacionin muzikor që çel ngjarjet ceremoniale të qytetit

Banda frymore e Tiranës është formacioni që prej dekadash çel ngjarjet ceremoniale, por edhe ato festive të qytetit. Xhumali Muraj e drejton këtë formacion I cili sot ka në përbërjen e vet 40 muzikantë.
“88’ deri më sot unë jam një nga muzikantët e bandës së bashkisë prej 36 vitesh. Bandat nuk duan duan shumë prapavijë”, tha Xhumali Muraj.
Dikur pjesë e Teatrit të Operës dhe Baletit, muzikanti më i vjetër i Bandës së Tiranës, është Mark Luca, i cili thotë se emocionet që përjetohen kur performon si pjesë e bandës janë ndryshe nga ato që merr kur ngjitesh në skenë.
“Ne e quajmë gëzimi i qytetit sepse për çdo festë, për çdo përvjetor banda është ajo që zbukuron atë që quhet festë qyteti. Në këtë formacion kam të paktën 45 vite, në këtë profesion nuk ka pension”, tha muzikanti Mark Luca.
Trombisti Gazmor Halilaj, njëherësh pjesë e orkestrës simfonike të RTSH-së, prej dekadash I është bashkuar edhe Bandës së qytetit.
“Jemi më afër publikut, është ndryshe kur ulesh dhe luan dhe është ndryshe kur je në këmbë dhe lëviz, krijohet një atmosferë shumë e bukur. Pranë bandës kanë ardhur shumë instrumentistë të mirë dhe mund të them pa frikë janë ndër instrumentistët më të mirë të vendit”, tha Gazmor Halilaj.
Sot Banda frymore e Tiranës është një formacioni I larmishëm, me muzikantë të moshave të ndryshme nga 24 në 77 vjeç, që luan një repertorë të pasur, që nga ceremonitë protokollare e deri tek pjesët koncertale. Gani Kavaja është ndër muzikantët e rinj.
“Që me mbarimin e liceut kam qenë aktiv me bandën është një harmoni e bukur që bëjmë, jemi grup kompakt dhe shkojmë mirë”, tha Gani Kavaja.
Performancat e bandës frymore të qytetit janë shpesh të mbushura me emocione. Xhumali Muraj ndan një nga momentet më të veçanta.
“Në kohën e Covid-it banda doli që nga “Zogu i Zi”, në “Tiranë të Re” deri tek garda, një paradë e madhe, të gjithë njerëzit dilnin në dritare na përshëndetnin”, tha Xhumali Muraj.
Edhe pse Banda frymore e Tiranës është transformuar e rritur profesionalisht me kalimin e viteve, anëtarët e saj dëshirojnë t’i çojnë performancat në një tjetër dimension.
Gazetare: A. Agolli
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




