Përdorimi i cigareve elektronike, Ministria e Shëndetësisë fushatë sensibilizuese në të gjithë vendin për rreziqet

Sociale | 3 vite më parë

Ministria e Shëndetësisë do të nisë një fushatë sensibilizuese në të gjithë vendin kundër përdorimit të “cigareve elektronike” dhe “duhanit me ngrohje”. Lajmi u bë me dije nga Ministrja Albana Koçi, teksa shkruan në një postim në Facebook se vihet re një masë e shtuar e përdorimit dhe keqinformimit lidhur me këto produkte në popullatë. Koçiu thekson se përdorimi i tyre ka efektin e njëjtë si duhani i zakonshëm.

Po ashtu, ministrja shkruan se do ketë edhe një rishikim të qasjes së politikave për reduktimin e dëmit që i kanoset shëndetit nga duhanpirja.

Masa do të merren edhe në ambientet e shkollave dhe gjimnazeve, ku ministrja thotë se do të ketë kontrolle të vazhdueshme.  

“Në Komitetin Ndërsektorial për Mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. Vërehet në një masë të shtuar përdorimi dhe keqinformimi për produktet ‘Cigare elektronike’ dhe ‘Duhan me ngrohje’ nga popullata, veçanërisht në ambiente të mbyllura, të cilat japin efektin e njëjtë apo të barabartë me duhanin e zakonshëm.

Në vijim u vendos:

Të shtrihet në të gjithë vendin fushatë e zgjeruar sensibilizuese për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit në bashkëpunim me të gjitha institucionet; Të promovojë programe dhe projekte informuese dhe edukuese në shkolla, për rreziqet dhe dekurajimin e përdorimit të produkteve të duhanit tek të rinjtë me qëllim mbrojtjen e shëndetit; Thellimin e bashkëpunimit me institucionet qeveritare për rishikimin e qasjes dhe politikave për reduktimin e dëmit që i kanoset shëndetit nga duhanpirja.

Bashkë me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit do të sigurohemi që kontrollet brenda dhe jashtë ambienteve të shkollave dhe gjimnazeve, të jenë nën monitorim të vazhdueshëm, edhe kundrejt ambulantëve për parandalimin e shitjeve të produkteve të duhanit tek të rinjtë. Së bashku të ndalojmë përhapjen e dëmshme të duhanit  dhe të mbrojmë të ardhmen e shëndetit tonë”, shkruan ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme