Koçiu në Shtëpinë e Foshnjes “Hanna dhe Rozafa”: Solidaritet dhe bashkëpunim për mbrojtjen ndaj fëmijëve në nevojë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi në këtë ditë feste të Fiter Bajramit, Shtëpinë e Foshnjes “Hanna dhe Rozafa” në Tiranë.
Në bashkëbisedim me stafin, ministrja Koçiu i falënderoi për përkujdesjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për t’u dhuruar këtyre fëmijëve sado pak dashuri prindërore dhe ngrohtësi familjare.
Koçiu theksoi angazhimin e vazhdueshëm të MSHMS-së dhe Shërbimit Social Shtetëror për t’u ardhur në ndihmë dhe mbështetur fëmijët pa kujdes prindëror.
Ministrja apeloi për bashkëpunim në mënyrë që asnjë foshnje apo fëmijë të mos ndjehet i braktisur.
“Shërbimi ynë Social i ka të gjitha kushtet që të mbrojë absolutisht çdo të mitur në Republikën e Shqipërisë dhe t’i ofrojë një rritje të denjë, ashtu si të gjithë moshatarët e tjerë. Për t’ia dalë mbanë, kemi nevojë për solidaritetin dhe bashkëpunimin tuaj. Denonconi çdo rast dhune apo abuzimi, kudo që e verifikoni atë. Edhe në qoftë se nuk ju përket direkt, edhe nëse është fëmija i fqinjit apo një situatë që e shihni në rrugë, le të mos heshtim”, deklaroi Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu apeloi gjithë qytetarëve: “Le të mos bëhemi bashkëpunëtor me heshtje në këto fenomene që s’kanë asgjë të përbashkët me vlerat e jashtëzakonshme të shoqërisë dhe familjes shqiptare”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




