Gazetari rrëfen historinë e djalit për vaksinën ndaj fruthit, Daja: Ka arsye pse bëhet në moshë të vogël

Hezitimi i prindërve duke shtyrë disa vaksina të detyrueshme për fëmijët e vegjël, për mjekët rrezikon jetën e të vegjëlve. Gjatë viteve të fundit studimet e INSTAT kanë treguar se treguesit e vaksinimit në vend janë përkeqësuar pas pandemisë. Në lidhje me këtë çështje Shefja e programit të vaksinimit në ISHP, Rovena Daja u bëri thirrje prindërve që nuk duhet të tremben nga vaksina të caktuar, por t’ua bëjnë fëmijëve në kohë pasi ka një arsye se pse vaksinat bëhen në moshë të caktuar.
Në një intervistë në “Jetë Shqiptare” në RTSH, Daja tha se më problematike për prindërit është vaksina e Fruth-Rubeolës, e njohur edhe si MMR, ku sipas saj prindërit nuk duhet të besojnë faktin se kjo lidhet me autizmin te fëmijët.
Sipas Dajës, asnjë studim nuk ka treguar lidhjen e autizmit më vaksinën kundër e Fruth-Rubeolës që bëhet në moshën 1-vjeçare dhe se nuk duhet ta shtyjnë këtë vaksinë.
“Vaksinimi është e drejtë themelore që e kanë të gjithë fëmijët dhe vaksinat e kalendarit të fëmijëve janë të detyruara nga mosha 0-18 vjeç. Vaksina më problematike që ka uljen më të madhe është ajo e Fruth Rubeolë, MMR. Në vitin e parë të jetës që duhet bërë doza e parë prindërit kanë tendencë që e shtyjnë. Me dozë të dytë vaksinimi është më i lartë sepse prindërit kanë parë që nuk kanë pasur probleme nga doza e parë. Kur prindërit shtyjnë vaksinë rrezikojnë jetën e fëmijë dhe ka pasur edhe ratse vdekje. Më të rriskuar janë ata që nuk e bëjnë fare vaksinën. Gjatë 2022, 92.8 % i kanë bërë të dyja dozat e vaksinës dhe janë të mbrojtur. Skepticizmi i prindërve ka lindur pas një studimi të viteve më parë që është hedhur poshtë ku lidhte vaksinën me autizmin. Ishte ky studim që bëri gjithë këtë rrëmujë”, tha Daja.
Në studio gazetari Klodian Frroku tregoi rastin e fëmijës së tij, i cili ishte alergjik dhe ka hezituar t’ia bënte vaksinën ndaj fruthit derisa e bëri atë në kushte spitalore nën mbikëqyrjen e mjekëve.
“Prindërit hezitojnë në momente të caktuara, por shkolla dhe çerdhet i kanë të detyruara vaksinat në planin kalendarik nga 0-18 vjeç. Vajza ime e ka bërë vaksinën në kohë, ndërsa djali ka qenë alergjik dhe ka pasur hezitim që doktoresha nuk thoshte duhet ta bëjë apo jo, në një kohë që shkolla e kërkonte. Unë e kam shtyrë shumë gjatë këtë pjesë duke pasur frikën e alergjisë. Pse duhet ta bëjë kaq i vogël fëmija këtë vaksinë? Kjo është dilema. Për djalin kam pasur frikë dhe e kam bërë në kushte spitalore, për vajzën nuk e kam pasur këtë frikë”, tha gazetari.
Pse vaksina duhet të behët në moshë kaq të vogël kur fëmijët sa fillojnë e flasin dhe ecin, Rovena Daja shpjegon se vjen për shkak se fëmijët në moshën 1-vjeç5are nuk kanë më mbrojtjen natyrale që kanë marrë nga nëna.
“Vaksina është e përcaktuar dhe kur fëmija lind ka mbrojte nga antitrupat e nënës dhe zgjasin 6 muaj dhe pas 1 vjeç nuk ka më asnjë mbrojtje dhe kjo është edhe arsyeja që vaksinat bëhen në këtë moshë”, tha Daja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




