Veliaj: Sheshin “Nënë Tereza” duam ta kthejmë në parkim nëntokësor për autobusët

Sociale | 4 vite më parë

Sheshi “Nënë Tereza” mund të kthehet në parkim nëntokësor ekskluzivisht për autobusat. Kështu ka deklaruar kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili, gjatë një bashkëbisedimi me guidat turistike, tha se një mundësi e tillë po shqyrtohet tashmë nga bashkia.

“Jemi duke shqyrtuar mundësinë që të kthejmë sheshin “Nënë Tereza” në një parkim nëntokësor, i cili të jetë ekskluziv vetëm për autobusët. Ndërkohë jemi duke menduar që xhepin e parkimit që fituam te Garda, që ta përshtatim për autobusë dhe ta kthejmë në stacion, derisa të bëjmë një zgjidhje nëntokë në Sheshin “Nënë Tereza”. Duhet të pranojmë që kemi bërë një revolucion me transportin e taksive, ku 60% janë elektrike. Impakti i parë kur vjen në Rinas, apo kur lëviz në Tiranë me një mjet ekologjik, është një publicitet i mirë për qytetin”, nënvizoi Veliaj.

Ai bëri me dije po ashtu se Bashkia sapo ka miratuar një investim për kthimin e 80 stacioneve të autobusëve në stacione elektronike dhe aplikimin e biletimit elektronik.

Sipas kryebashkiakut, kryeqyteti ka pësuar një transformim, teksa përmendi si zonat më ikonike të saj, Sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri dhe Kalanë e Tiranës.

“Unë besoj se, të paktën për pjesën e Tiranës qendrore, ia ka vlejtur mundimi dhe bashkëpunimi që kemi pasur. Kur kujtoj që, sidomos në vitin e kaluar kur kemi pasur edhe titujt Kryeqyteti Europian i Rinisë, apo këtë vit ai i Sportit, e kam pasur sfidë të hyj e të dal nga Bashkia prej grupeve të turistëve. Jam ndierë sikur jetoja në Babel, kur dëgjoja çfarë gjuhe fliste një grup dhe nuk e fliste grupi tjetër. Në këtë sens, unë besoj që këto janë ditët më të mira të turizmit në Tiranë. Pra, me gjithë problematikat që kemi, më mirë se kaq nuk ka qenë përpara dhe nuk ka qenë kurrë”, tha Veliaj.

Ndër atraksionet kryesore artistike, Veliaj përmendi Piramidën, për të cilën tha se shumë shpejt do jetë në 3 pikat më të vizituara të Tiranës.

“Nuk besoj ka kaluar një vit që s’kemi shtuar një stacion të ri ku vërtet ia vlen të çosh turistë. Filluam me “Shtëpinë e gjetheve”, vazhduam me “Pazarin e Ri”, me Kalanë e Tiranës dhe janë bërë disa të quajtura “tourist traps”. Jam i bindur që Piramida do jetë atraksioni, në mos vendi më i instagramuar, të paktën tek tre më të kërkuarit nga turistët. Ai është një ballkon 360 gradë i Tiranës”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku bëri më dije se dy stacionet e reja për t’u vizituar nga turistët që do shtohen shumë shpejt janë “Sarajet” që është shpronësuar nga Bashkia dhe do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës dhe Shtëpia e Libohovitëve. Ndërkohë,  ai sqaroi më tej se ka filluar puna për shtëpinë “Dritëro Agolli”, siç është bërë edhe te “Shtëpia e gjetheve” apo te shtëpia e Ismail Kadaresë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme