Banorët e Dukagjinit në protestë, kërkojnë të ndërtohet rruga që lidh zonën me Shkodrën

Sociale | 4 vite më parë

“Dukagjini kërkon rrugën” ishte motoja e protestës së sotme (20 shkurt) përpara bashkisë së Shkodrës nga komuniteti dukagjinas, protestë që u paralajmërua me herët për ndërtimin e rrugës. 

Me pankarta në duar ku shkruhej “Në 2023 n’zemër të Europës, pa rrugë, pa drita” apo “Turp i pushtetarëve” banorët kërkuan ndërtimin e rrugës së Dukagjinit, e cila sipas tyre është lënë në harresë.

“Protestat do t’i vazhdojmë derisa të plotësohet kërkesa jonë”, thonë banorët, teksa njëri prej tyre u shpreh se “nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore 2023”.

Më pas qindra banorë të kësaj zone bënë një marshim paqësor në sheshin përpara bashkisë dhe prefektures teksa tubimit iu bashkuan edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të rastit. Më tej ata ndezën qirinj për 52 viktimat në këtë rrugë tek busti i “Nënë Terezës” në qendër të Shkodrës.

Ndërkohë protesta ka sjellë reagimin e bashkisë së Shkodrës. Nënkryetari i saj, Tonin Dedaj tha se në vitin 2013 është tenderuar faza e parë e rrugës në kohën kur ishte drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ishte Benet Beci, sot deputeti socialist i Shkodrës, por ky fond sipas nënkryetarit të bashkisë nuk u alokua asnjëherë.  

I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i deputetit Benet Beci. Ai shkruan në një postim në Facebook, se është në mbështetje të protestuesve dhe se shumë shpejt do të ketë lajme të mira për ta.

“Jemi duke parë të gjitha mundësitë për financimin e rrugës me Qeverinë Shqiptare dhe donatorë të huaj” shkruan Beci.

Rruga e Dukagjinit ka 30 vite që është në mëshirë të fatit. Kjo rrugë ka perspektiven e zhvillimit të një zone me portencial të vecante natyrore kulturore dhe historike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme