Turizmi dimëror në krizë, pista e skive në Dardhë me numër të ulët turistësh, shkak mungesa e borës

Sociale | 4 vite më parë

Temperaturat e larta dhe mungesa e dëborës ka bërë që Dardha të jetë pak e vizitueshme gjatë kësaj periudhe. Turistët kryesisht shkojnë në Dardhë për sportin e skive, por këtë vit numri i tyre ka qenë shumë i ulët, pasi mungesa e reshjeve të borës ka bërë që pista e skive të mos vihet në funksion.

Thoma Tasho, administrator i pistës së skive, thotë se ky është viti i parë në 20 vite që ai merret me këtë biznes, që po përjetojnë këtë krizë, duke i detyruar të mendojnë për alternativa të tjera, pasi është e pamundur të vazhdojnë të investojnë në këtë sektor.

Sipas Tashos gjatë këtyre ditëve të para të janarit numri i turistëve që kanë vizituar Dardhën ka qënë i ulët, pasi interesi i tyre është të ushtrojnë sportin e skive.

Tasho shton më tej se dëmi ekonomik për këtë biznes do të jetë tejet i madh.

Ky do të jetë një dimër i vështirë edhe për bizneset e tjera që operojnë në Dardhë, si restorante e hotele, nisur edhe nga eksperienca e vendeve fqinje, pasi ndryshimi i kushteve atmosferike ndikon ndjeshëm tek zonat me turizëm malor.

Pista e Skive në Dardhë është e vetmja e këtij lloji në juglindje të vendit, e cila ndër vite ka tërhequr vëmendjen e turistëve vendas e të huaj. Dikur një nga fshatrat i cili mbulohej tërësisht nga bora, këtë vit Dardha duket se vuan mungesën e reshjeve të dëborës, e rrjedhimisht mungesën e turistëve.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme