Pensionet e shqiptarëve jashtë vendit, zgjerohet harta e njohjeve

Sociale | 4 vite më parë

Njohja e viteve të punës për mijëra shtetas shqiptarë që kanë punuar në vende të ndryshme të botës, në Shqipëri kalon pothuajse pa u vënë re. RTSH sjell të plotë njohjen e pensioneve të shqiptarëve dhe mbylljen e marrëveshjeve të ndërsjellta me vendet ku ata punojnë e jetojnë.

Vetëm brenda një viti, shtete si Kanadaja, Greqia, Italia apo edhe Zvicra, së fundi, kanë ecur me procesin e njohjes së pensioneve të ndërsjellta të shtetasve të tyre me Shqipërinë dhe anasjelltas. Lajmet për njohjen e pensioneve të shqiptarëve dhe mbylljen e marrëveshjeve të ndërsjellta me të gjithë, në përgjithësi, mungojnë në tregun shqiptar të mediave. Po arritja e këtyre marrëveshjeve, të vlerësuara nga ekspertët si mjaft të vështira, janë një kontribut i qeverive për të vlerësuar punën dhe, sidomos, pensionin e shqiptarëve që punojnë jashtë vendit, duke filluar nga vitet 1990.

Lajm i mirë i orëve të fundit është se qeveria zvicerane sapo ka çuar në parlament, për miratim, Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Zvicrës e cila u firmos më 18 shkurt 2022, në Tiranë.

Ky lajm pason lajmin e shtatorit të këtij viti, kur Qeveria shqiptare intensifikoi bashkëpunimin me shtetin fqinj, Greqi, për të bërë të mundur nisjen e negociatave në lidhje me skemat e sigurimeve shoqërore që zbatojnë të dyja shtetet, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. Diskutimet teknike me autoritetet greke për njohjen e pensioneve, shërbejnë për njohjen e viteve të punës për mijëra shtetas shqiptarë në shtetin helen.

Në 25 korrik të këtij viti Shqipëria dhe Italia u ulën në Tiranë, në një tryezë të përbashkët në nivel teknik, për të diskutuar termat konkretë për hartimin e Marrëveshjes Kuadër, ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurimeve shoqërore, pas përpjekjeve disa vjeçare.

Ndërkohë sapo është njoftuar angazhimi i kryeministres së re të Italisë Meloni, për të bërë realitet një ëndërr të shumë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, në mënyrë që vitet e tyre të punës të njihen dhe të shpërblehen denjësisht si dhe të garantohet njohja e ndërsjelltë e të drejtave në fushën e sigurimeve shoqërore.

Apo edhe lajmi tjetër se duke filluar nga 1 Gusht 2022 ka nisur zbatimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Kanadanë, ku rreth 60 mijë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në këtë vend, pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje, e ratifikuar në vitin 2019 dhe që synon trajtimin e barabartë të qytetarëve dhe njohjen e periudhave të vjetërsisë në punë.

Vullneti i palëve për t’u ulur në tryeza të tilla diskutimi  dhe arritja në përmbylljen e marrëveshjeve të ndërsjellta mes Shqipërisë dhe vendeve ku jetojnë e punojnë qindra e mijëra shqiptarë, aq shumë të dëshiruar dhe të pritur nga bashkatdhetarët tanë, ndikojnë në përfitime të ndjeshme të shqiptarëve. Vetëm në Itali, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë, që do të thotë trajtim i barabartë në pensionet e pleqërisë, në përfitimet për sigurimet për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe gjithashtu  në sigurimet për papunësinë.

Me fjalë më të thjeshta, çdo shqiptar që ka punuar prej vitesh në shtetet e mësipërme, apo ka punuar një pjesë të viteve në këto shtete dhe një pjesë në Shqipëri, do t’i njihen vitet e pensionit në momentin që ai person do të dalë në pension sipas ligjeve respektive të këtyre shteteve.

Ndërsa marrëveshja mes Shqipërisë dhe Zvicrës synon koordinimin për pensionin e pleqërisë, statusin e invaliditetit, të të mbijetuarit, garanton trajtim të barabartë të të siguruarve, disiplinon derdhjen e kontributeve jashtë vendit dhe eviton rastet e taksimit të dyfishtë apo abuzimeve. Po e njëjta skema edhe me Kanadanë, ku realizohet tasjmë shmangja e mbulimit të dyfishtë për të njëjtën periudhë dhe bashkimi i periudhave të sigurimit të realizuara në dy vendet.

Pjesë e disa prej marrëveshjeve është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme