Çelet java e kulturës japoneze, artistja Maruyama Yuri, performon live artin e Ikebanës

Sociale | 4 vite më parë

Aktivitete të shumta kulturore dhe artistike do të krijojnë një atmosferë tërësisht japoneze me rastin e çeljes së Javës së Kulturës të këtij vendi. Këtë javë do të prezantohen një sërë elementësh nga kultura Japoneze, ku mund të përmendim: ceremoninë e çajit, në të cilën do të demostrohet sesi bëhet çaji në Japoni, shfaqja e ngjalave, ku disa shefa japonezë do demonstrojnë sesi gatuhen ngjalat në një mënyrë speciale japoneze, kupa e Ambasadorit, që do të jepet për federatën e karatesë dhe xhudës dhe në fund do të mbahet një koncert klasik.

“Këtë javë kulture ne finalizojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve midis Japonisë dhe Shqipërisë. Për këtë arsye kemi sjellë javën e kulturës në Shqipëri, për t’i dhënë një tonalitet të këndshëm, marrëdhënies midis dy vendeve tona. Falenderoj shumë Qeverinë shqiptare që ka mbështetur Javën e Kulturës Japoneze”, tha ambasadori japonez në vendin tonë.

Ndërkohë, në çeljen e Javës së Kulturës Japoneze u mbajt ceremonia e luleve Ikebana, ku një artiste japoneze performoi live traditën shekullore të rregullimit të luleve.

Javët Ndërkombëtare të Kulturës, me moton “Shqipëria mikpret botën”, është një nismë e Qeverisë shqiptare ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme