Takimi me pedagogët pa marrëveshje, Kushi: Do vazhdojmë dialogun për pagat

Sociale | 4 vite më parë

Takimi mes Ministres së Arsimit , Evis Kushi me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka përfunduar pa një marrëveshje. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ministrja informon se do të vijojë dialogu për politikën e pagave, ndërsa thekson se pjesa më e madhe çështjeve të parashtruara është tashmë në proces draftimi.

“Zhvilluam sot një tryezë diskutimi të gjatë me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë në lidhje me kërkesat e parashtruara prej tyre. Pjesën më të madhe të çështjeve të parashtruara e kemi tashmë në proces draftimi edhe me Komitetin e Përbashkët të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Konferencën e Rektorëve, të tilla si: mbështetja e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; rishikimi i udhëzimit për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve; rishikimi i procedurave për pagesën e orëve suplementare; rishikimi i kritereve për marrjen e titujve akademike; si dhe rritja e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve. Ndërkohë, do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit. Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës”, shkruan Ministrja.

Takimi erdhi pas protestës që organizuan pedagogët e Fakultetit të Shkencave. Pedagogët kërkojnë rritjen e pagave në një nivel që të krahasohen me vendet e rajonit. Ata kanë paralajmëruar se do të vijojnë me protestat, ku e radhës do të mbahet më 5 tetor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme