“Zero tolerancë për antibiotikët pa recetë”, Manastirliu: Plan kombëtar masash, kontroll dhe raportime

Përdorimi pa kriter i antibiotikëve sidomos gjatë pandemisë ka rritur shumë shqetësimin për antibiotiko-rezistencën. Ky fenomen sot konsiderohet kërcënim global për shëndetin publik për shkak të numrit shumë të lartë vdekjeve që po ndodhin nga infeksionet si pasojë e rezistencës antimikrobiale.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë një takimi me Ekspertë të Komitetit Kombëtar për Testimin e Ndjeshmërisë Antimikrobike, tha se ka ardhur koha për një plan për sa i përket luftës kundër antibiotiko-rezistencës.
“Ka ardhur koha për të rivlersuar planin e masave për sa i përket luftës kundër antibiotiko-rezistencës, me mësime të mësuara dhe të nxjerra nga Covid-19. Është shumë e rëndësishme që ky plan masash të fillojë menjëherë, duke patur disa objektiva konkretë: Rishikimi i protokolleve ekzistuese dhe të reja për çdo diagnozë. Mbi të gjitha, duke unifikuar protokollet dhe duke referuar protokolle standarde për diagnozat në spitale. Kjo është emergjente për t’u aplikuar dhe për t’u realizuar. E dyta, trajnimi i stafeve mjekësore për të aplikuar këto protokolle, për të pasur një qasje multidisiplinore kur vendoset terapia e mjekimit”, tha Manastirliu.
Për të kufizuar përdorimin e antibiotikëve jashtë protokolleve, Manastriliu tha se përvecc recetave të rimbursueshme ne sistem do të futen edhe barant që jepen nga mjekët si terapi mjekimi.
“Jemi duke punuar edhe për të pasur mundësinë që përveç E-prescription për barnat me rimbursim, të kemi këtë sistem edhe për barnat që nuk janë me rimbursim dhe që jepen nga mjekët si terapi mjekimi, për të monitoruar në sistemin parësor trajtimin e qytetarëve në mënyrë sistematike. Patjetër në spitale ky sistem kontrolli duhet të jetë si një sahat, ku çdo muaj çdo spital të ketë një raport që depoziton në ISHP për efektet dhe për të gjithë ato elementë që kanë të bëjnë me rezistencën ndaj antibiotikëve. Të kemi në mënyrë periodike raportime, të cilat më pas do të na shërbejnë në punën tonë për të mitiguar ato efekte të padeshiruara që mund të sjellin, qoftë një mosrespektim të protokolleve apo edhe një neglizhencë -sigurisht jo me dashje- por që mund të dëmtojë në raport me punën e bërë nga mjekët e spitaleve”, tha Manastirliu.
Manastirliu i ka kërkuar Agjencisë Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, në mënyrë urgjente të intesifikojë kontrollet nëpër farmacitë e rrjetit të hapur, në raport me recetat që lëshohen përsa i përket antibiotikëve dhe verifikimin, nëse kanë antibiotikë të lëshuar pa recetë.
“Zero tolerancë për farmacitë të cilat i shmangen rregullit dhe ligjit përsa i përket shitjes së produkteve dhe antibiotikëve apo barnave të cilat duhet të shiten vetëm nëpërmjet recetës së mjekut”, tha Manastirliu.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




