Rikonstruktohet ISUV, Rama: Të trajtohet si qendër kërkimore shkencore, plani të bëhet me buxhetin e ri

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) është rikonstruktuar duke pasur në dispozicion të saj ambiente të reja. Në përurimin e këtyre ambienteve ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi që ky institucion të trajtohet si qendër kërkimore shkencore dhe se plani të bëhet me buxhetin e ri.
“Ne duhet t’i japim një status të veçantë se ky është ndër të paktat institute, që duke patur parasysh, në këtë fushë po, por them në tërësi është nga të paktat struktura që shpëtuan nga ajo therja e madhe që u bë atëherë. Ishte e tmerrshme. Kështu që ne duhet ta shohim, të bëjmë një status të veçantë që të mos jenë administratë publike se s’kanë si të jenë administratë publike dhe të trajtohet si qendër kërkimore shkencore. Falënderimi më i mirë është: Uluni bëjeni gati, që me buxhetin e ri ta bëjmë”, u shpreh Kryeministri Rama.
Edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se ISUV ka rritur shërbimet e saj ku nga 8 analiza që bënte 5 vite më parë, sot arrin të bëjë 96 të tilla. Gjithashtu tha Krifca në kuadër të marrëveshjeve të Ballkanit të Hapur, ISUV bën analizat edhe të 430 pesticideve.
“ISUV institucioni më i rëndësishëm i sigurisë ushqimore në vendin tonë. Tashmë jemi në gjendje t’i dalim përballë çfarëdolloj trupe negociuese të BE, sepse i kemi kapacitetet teknike dhe e justifikojmë me dije, me mund, tashmë edhe me buxhet edhe me investime, qoftë teknike, qoftë infrastrukturore për të përmbushur kërkesat e biosigurisë që BE kërkon. Instituti ka bërë një punë të rëndësishme, në përputhje me akreditimin, numrin e analizave. Nëse i referohemi 4-5 viteve më parë instituti bënte 8 analiza, pra ishte i akredituar për 8 analiza, sot kemi 96 dhe sot nga akreditimi ne marrim përgjigje edhe për 5 analiza të tjera, pra e rrisim gamën e analizave të akredituara. Procesi i akreditimit po ecën shumë mirë, me 430 pesticide qe ne tashmë kemi gjendje të analizojmë nëpërmjet aparaturave, nëpërmjet të gjithë procesit teknik që kanë përftuar specialistët tanë, sepse pra nga 100 punonjës, 24 prej tyre janë doktorë shkencash, ne jemi në gjendje që të validojmë dhe t’i japim garanci të plotë ushqimore eksporteve tona tashmë, me një konformitet edhe të analizave të mbrojtjes së bimëve. Ne kemi mbështetur institutin këtë vit, kryeministër, me 30% më shumë të buxhetit sesa në vitin më të mirë të buxhetit që ka pasur dhe e bëjmë këtë sepse pa këtë institut ne nuk garantojmë dot, volumet e eksporteve që na nevojiten sidomos për produktet bazë si dhe të frutave-perimeve. Analizat e 430 pesticideve ishte një detyrim edhe për marrëveshjen e Ballkanit të Hapur, pra garancia ishte që ne do ta kryenim atë proces dhe unë dua të falënderoj këtë ekip”, tha Krifca.
ISUV mbulon fushat e kontrollit dhe monitorimit laboratorik të Sigurisë Ushqimore, Shëndetit të Kafshëve, si dhe Shëndetit e Mbrojtjen e Bimëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




