Prezantohet Abetarja e përbashkët Shqipëri- Kosovë, Rama: Gjuha shqipe duhet të mbrohet!

Sociale | 4 vite më parë

Për herë të parë, nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë, do të kenë mundësinë që të mësojnë me një Abetare të përbashkët. Vetëm një ditë para nisjes së vitit të ri shkollor 2022- 2023, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, janë bërë bashkë ministrat e Arsimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku u prezantua Abetarja e unifikuar.

I pranishëm në këtë aktivitet mjaft të rëndësishëm, ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili, në fjalën e tij, u shpreh se “ky është një moment shumë i veçantë” i cili, sipas tij, “vjen pas një pune intensive dhe të shkëlqyer mes dy qeverive, e cila u realizua në kohë”.

Kryeministri nënvizoi më tej se Abetaren e unifikuar, me të cilën do të mësojnë fëmijët në Shqipëri dhe Kosovë, tashmë e kanë përqafuar edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Është një moment i vecantë, sepse kjo abetare e unifikuar, një punë mes dy qeverive, ishte një sfidë me kohën, pasi hapi vendimtar për t’u nisur në rrugëtimin e realizimit të saj u hodh jo shumë kohë më parë, në një mbledhje midis dy qeverive. Ja ku jemi sot me një abetare të unifikuar, një libër i njëjtë për nxënësit që hyjnë në shkollë për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë. Një lajm i mirë është se edhe miqtë dhe kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut e përqafuan këtë ide pak më vonë, sepse ideja fillimisht ishte produkt i dy qeverive dhe sot ata janë në momentin kur e kanë marrë vendimin për ta futur abetaren e unifikuar edhe në klasat ku mësojnë fëmijët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.”- theksoi Rama. .

Sipas kryeministrit, gjuha shqipe duhet të mbrohet nga kërcënimet e mëdha, pasi ka qenë e vështirë rruga e përpjekjeve për të mos u asimiluar dhe zhdukur gjuha shqipe, e cila vazhdon të gjallojë në hapësirat që jetojnë shqiptarët, por për të cilën janë dashur sakrifica të jashtëzakonshme.

 “Sot është më vlerë që kjo abetare vjen në 110 vjetorin e pavarësisë, si një punë e nisur në vigjiljen e festës sonë kombëtare vitin e kaluar në Elbasan. Programi mes dy qeverive eci shumë shpejt. U ngrit komisioni i përbashkët që ndoqi gjithë procesin. Kjo është një abetare ndryshe nga e mëparshmja edhe në aspektin e procesit të të mësuarit. Abetarja vjen për herë të parë edhe në versionin digjital që lehtëson punën e mësuesve dhe të prindërve.”- nënvizoi Rama.

Kushi: Abetarja na ka bërë më të vëtëdijshëm për vlerat e gjuhës shqipe

Ndërsa ministrja e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi, tha se sfida më e madhe është që të ruajmë dhe të përforcojmë gjuhën shqipe.

“Abetarja na ka bërë më të vëtëdijshëm për vlerat e gjuhës shqipe, prandaj punuam me shumë dashuri. Jemi të lumtur që i’a dolëm që Shqipëria dhe Kosova të kenë të përbashkët abetaren unike Shqiptare. Ky moment nuk është vetëm finalizimi i një procesi, por fillimi i një faze të re për të forcuar mësimin e gjuhës shqipe. Akademitë tona po punojnë për Enciklopedinë e Përbashkët. Sfida jonë është shumë e madhe, që të bëjmë përpjekje për ta ruajtur gjuhën shqipe. Ajo që më gëzon sot është se përveçse kemi ministren e Arsimit të Kosovës, kemi edhe ministrin e Arsimit në Maqedoninë e Veriut, e cila ka shprehur dëshirën që të përfshihet. Një abetare unifikuar për të gjitha trevat shqiptare, i kalon përmasat e aspektit arsimor, pasi është një arritje e të gjithë kombit shqiptar. Nesër fillojnë punimet e Kongresit të Arsimit, ku do shkëmbejmë mendimet tona që të përballojmë sfidën e kohës.’- tha Kushi.

Ministrja e Arsimit e Kosovës, Nagavci: Kemi jo vetëm një abetare të re, po edhe një libër cilësor

 Nga ana e saj ministrja e  Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci, u shpreh se Abetarja e re e përbashkët është një ndër gurët e parë në bashkëpunimin mes dy vendeve, duketheksuar se në të ardhmen se do të ketë dhe projekte të tjera.

“Është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua, për promovimin e Abetares unike. Shpresojmë që sot të fillojmë mësimin e shkronjave me një abetare të përbashkët. Vogëlushët tanë do të mësojnë gjuhën shqipe me një abetare të përbashkët, do të bëjmë histori. Kemi jo vetëm një abetare të re, po kemi edhe një libër cilësor. Është detyra e jonë e përbashkët për të vazhduar shembullin e mësuesve tanë të dashur. Me një punë të madhe arritëm një proces kaq të rëndësishëm. Ndjehem e lumtur për këtë! Edhe unë besoj që është një ndër gurët e parë që kemi vënën bashkëpunimin e gjatë që do të kemi. ”,- u shpreh ministrja e arsimit e Kosovës.

Ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Shaqiri: Kemi filluar procedurat edhe në vendin tonë

Edhe ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, në fjalën e tij në prezantimin e Abetares së përbashkët Shqipëri- Kosovë, tha se dhe qeveria maqedonase ka nisur procedurat që edhe shqiptarët atje të mësojnë më të njëjtën Abetare.

‘Do të kemi një abetare të përbashkët. Dita e sotme përbën edhe një ditë historike, ku njerëzimit i kujton nevojën për të bërë për komunitetin. Shqiptarët, pikërisht sot, promovojnë Abetaren e përbashkët dhe vendosmërinë e qeverisë së Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, për një arsim më cilësor. Shqipëria dhe Kosova kanë qenë përkrahësit dhe mbështetësit më të mëdhenj për mijëra studentë nga trevat e tjera për t’u arsimuar. Abetarja që sot promovohet konfirmon nevojën e futjes së kësaj Abetarje për të gjithë nxënësit shqiptar kudo që janë. Dua të ndaj me ju se kemi filluar procedurat edhe në vendin tonë. Jam i bindur që edhe ne do të përdorim të njëjtën Abetare.”- tha Shaqiri.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme