Abuzimi seksual i 11-vjeçares në Kosovë, me qindra qytetarë në Tiranë solidarizohen me protestën në Prishtinë: S’duhet të heshtim

Sociale | 4 vite më parë

Me qindra qytetarë në Tiranë janë solidarizuar me protestën në Prishtinë lidhur me abuzimin seksual të një 11-vjeçare nga 5 të rinj në Kosovë. Prej orës 16.30 e deri në orët e vona të mbrëmjes me qindra qytetarë, aktivistë, gazetarë e figura publike kanë bërtitur të revoltuar se vajzat dhe gratë nuk duhet të preken dhe dhunohen.

Protestuesit fillimisht u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza” dhe më pas u zhvendosën drejt kryeministrisë, aty ku dhe protesta zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes.

Me pankarta në duar dhe thirrjet ‘Nuk përdhunon veshja, përdhunon mendja’, “ Unë bërtita jooo”, “Unë jam fëmijë! Pizhamet e mia nuk janë seksi”, “Stop heshtjes”, “Nuk janë të sëmurë, janë përdhunues”, qytetarët kërkojnë që mentaliteti të ndryshojë dhe shoqëria të edukohet.

 “Sa prej dhunuesve dënohen, Kemi rastin e Kavajës, ku dhunuesit dolën nga burgu. Kemi rastin e Rrëshenit që nuk e dimë çfarë ka ndodhur me dhunuesit”, tha aktivistja Xheni Karaj.

“Më vjen shumë keq që në këto 6 vite jam përdhunuar virtualisht dhe jam etiketuar si vajzë jo e mirë sepse promovoj edukatën seksuale. Dhe është paradoksale, sesi vëmendja kthehet te unë tashmë pasi një abuzim seksual prej 7 orësh të një vajze të mitur” tha aktivistja Zhaklin Lekatari.

Mes protestuesve kishte edhe fëmijë dhe të mitura, të cilat tahën se duan të rriten të sighurta dhe të lëvizin pa u friksuar se dikush do t’i dhunojë.

“Ne kemi të drejtë të veshim çfarë të duam dhe të edukohen djemtë që të mos bëjnë asgjë. Jam 9 vjeçe. Unë po protestoj se nuk ndihem e sigurt në këtë vend dhe kam shpresën që gjërat do të rregullohen”, thanë të miturat.

Në protestë ishte edhe ish kandidati për deputet i PS, Alfred Muharremi i cili tha se nga këto ngjarje makabre vuajnë nënat.

“Janë 5 nëna që sot vuajnë nga ky akt makabër. Kemi shumë nëna që kërkojnë fëmijë që nuk arrijnë të bëjnë fëmijë. Janë shumë nëna që sakrifikojnë duke rritur fëmijë. Janë 5 nëna dhe kemi shumë fëmijë që rrinë pa prindër. Kemi shumë prindër që kanë humbur jetën. Duhet të kuptoni rëndësinë o maskarenj. Nuk doni nënat tuaja. O ndyrësira. Unë nuk e kam pasur shansin ta kem parë nënën time. E kam humbur nënën time  pasi më lindi mua. Nuk e di”, tha Muharremi.

Edhe në Prishtinë ka pasur një protestë kundër kësaj ngjarje të rëndë. Protesta erdhi si reagim qytetar ndaj ngjarjes së rëndë ndodhur më 27 gusht, ku një 11-vjeçare u përdhunua nga 5 të rinj, të cilët janë arrestuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme