Kurban Bajrami, Veliaj shtron drekë për njerëzit në nevojë: Do hapim qendra të reja komunitare

Me rastin e Kurban Bajramit, Bashkia e Tiranës shtroi një drekë festive në të gjitha qendrat sociale për familjet në nevojë, të moshuarit dhe personat me aftësi të veçanta. Kryebashkiaku Erion Veliaj i uroi besimtarët myslimanë, duke shërbyer drekën në Qendrën Komunitare “Gonxhe Bojaxhi” në zonën e Bregut të Lumit. Ai tha se pas tërmetit dhe pandemisë Tirana u ngrit më e fortë. Kryebashkiaku u shpreh se Bashkia e Tiranës do të qëndrojë pranë njerëzve në nevojë, duke hapur qendra të reja komunitare.
“Gëzuar Kurban Bajramin! Është gjithmonë kënaqësi sa herë rikthehem në qendrat tona sociale. Këtu në Bregun e Lumit jemi ngritur në këmbë edhe me shtëpitë e reja që po ndërtojmë, edhe me këtë qendër sociale, ku kujdesemi si një familje për princeshat dhe princërit e vegjël. Në festa si kjo e sotmja, qoftë Kurban Bajrami, qoftë ndonjë festë tjetër, pavarësisht besimit që kemi, tregojmë se jemi anëtarë të një komuniteti. Kemi ndërtuar një qendër fantastike në Kombinat, do të shtojmë një në Laprakë dhe në secilën prej lagjeve të reja që po ndërtojmë për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti. Në qoftë se nga fatkeqësia dalim më të mirë seç ishim, do të thotë se fatkeqësinë e kemi kthyer në një mundësi”, shtoi ai.
Kreu i Bashkisë u ndal edhe te procesi i rindërtimit, teksa në lagjen e re “5 Maji” familjet e para po hyjnë në banesat e reja. Veliaj siguroi se edhe familjet që preken nga procesi i rindërtimit, do të kompensohen 100 përqind.
“Mezi pres të kthehemi në këtë lagje gjithmonë e më shumë të rindërtuar, gjithmonë e më shumë të bukur e të sistemuar. Më vjen mirë që familjet e para kanë hyrë te lagjja e re te “5 maji”, do të vazhdojmë edhe me familjet e tjera. Edhe për ata që i kishin ndërtuar shtëpitë më herët, do të përfitojnë po aq metra katrorë sa kishin. Duam të sigurohemi që asnjë nuk del i humbur nga përpjekja për të rindërtuar pas tërmetit”, tha Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




