Protesta e Rinasit, banorët nuk çojnë fëmijët në shkollë

Sociale | 5 vite më parë

Banorët e Rinasit kanë thelluar më tej protestën e tyre pas vendimit të ARSH që rruga e Rinasit të kthehet me një sens.

Të mërkurën në ditë e tretë të protestës ata kanë bllokuar rrugën duke u ulur këmbëkryq, ndërkohë që nuk kanë dërguar as fëmijët në shkollë në shenjë proteste.

Me thirrje “Hapni rrugën”, ata kërkojnë që aksi të jetë i kalueshëm me dy sense, pasi në të kundërt duhet të bëjnë shumë më shumë kilometra për të  kryer aktivitetet e tyre të përditshme.  

“Nuk na bind deklarata e ARRSH. Të vijnë këtu ata dhe ta shohin sa kalohet te rrugët e lagjeve. Ne duam të hapet rruga siç ishte”, tha një nga banorët.

Janë 260 shtëpi që preken nga bllokimi i rrugës, ndërsa 130 fëmijë duhet të përshkojnë një rrugë shumë të gjatë për të shkuar në shkollë. Banorët kërkojnë që rruga të rikthehet siç ishte, pasi është një kosto shumë e lartë për jetën e tyre të përditshme.

ARRSH ka vendosur që për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq. 
Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme