Kushi: Universitetet shqiptare, të jenë më aktive në faqet e tyre të internetit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha sot se “jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë për të rritur cilësinë e arsimit të lartë, por nuk mund t’i mohojmë hapat pozitivë që po bëhen. Ne po punojmë për ndërkombëtarizimin e tyre”.
Duke folur në Kuvend për renditjen e Universitetit të Tiranës nga revista prestigjioze “Webometrics” të fundit në rajonin për nga cilësia, Kushi tha se “universitetet shqiptare duhet të jenë më aktive më transparente, më të pranishme në faqet e tyre të internetit. Por, nëse duhet t’i vlerësojmë universitetet shqiptare sa i takon cilësisë, atëherë ne do t’i referohemi njërit prej 3 renditjeve zyrtare më të rëndësishëm në të gjithë botën”.
“Është fjala për renditjen e 400 universiteteve më të mira të Evropës qendrore, lindore dhe Azisë qendrore. Janë rreth 4 mijë universitete që analizohen dhe prej tyre përzgjidhen 4 universitetet më të mira. Për herë të parë Shqipëria është pjesë e 400 universiteteve në 2020 fillimisht me Universitetin e Tiranës, ndërsa në 2021 kishim 5 universitet dhe këtë vit kemi të konsoliduara 3 universitete; Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Epoka”, nënvizoi Kushi.
Duke folur për renditjen e universiteteve shqiptare nga “Webometrics”, Kushi tha se “të dhënat që merr ky grup kërkimor për të bërë analizën e tyre, merren në mënyrë të pavarur nga faqja e internetit të çdo universiteti dhe jo nëpërmjet komunikimit apo bashkëpunimit me vetë universitetet apo institucionet e tjera shqiptare apo të huaja”.
“Qëllimi është që t’i motivojë universitetet dhe vetë kërkuesit, studiuesit, që të jenë sa më aktivë dhe të pranishëm në faqet e internetit të institucioneve të tyre. Kjo do të thotë që nëse një universitet ka një pozicion jo të kënaqshëm në këtë renditje në raport me cilësinë e tyre akademike, atëherë kjo do të thotë që universitetet duhet te rishikojnë politiken e tyre të paraqitjes së informacioneve apo publikimeve të tyre. Strategjia më e mirë për të përmirësuar pozicionin në këtë renditje është që universitet të pasqyrojë sa më shumë informacion edhe për nga sasia edhe cilësia”, tha Kushi.
Sipas saj çdo renditje ka vlerë, por e rëndësishme është që ne ta lexojmë siç duhet e të nxjerrim mësimet që duhen.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




