Ibrahimaj: Shqipëria ka normën më të ulët të inflacionit në rajon

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ekonomia në Shqipëri në vitin 2021 u rrit e 8.5%, krahasuar me vitin paraardhës, por edhe me gati 5%, krahasuar me vitin 2019 që ishte një vit normal.
“Ekonomia është rritur në të gjithë sektorët e saj. Nuk është vetëm sektori i ndërtimit që ka pasur rritjen më të madhe”, tha ministrja Ibrahimaj në seancë parlamentare.
Më tej, ministrja theksoi se rritja ekonomike nuk ishte e kufizuar vetëm në shifrat e GDP-së. “Për herë të parë kemi arritur shifrën e punësimit në 700 mijë dhe këto janë vende pune të cilat kontribuojnë në mirëqenien e familjeve shqiptare”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, rritja ekonomike u përkthye edhe në kreditim të sektorit privat.
“Dhe stoku i kredisë ka ardhur në rritje gjatë vitit 2021 në të gjithë sektorët duke u shoqëruar edhe me rritje të kredisë konsumatore”, deklaroi ministrja.
Ministrja tha se rritje të treguesve ekonomik kemi edhe përgjatë vitit 2022.
Ibrahimaj hodhi poshtëaludimet e opozitës se rritja e çmimeve ka sjellë rritje të import-eksporteve. Sipas saj, është zhvillimi i aktivitetit ekonomik.
Ministrja tha se çmimet ndikuan vetëm me 20 % në rritjen e të ardhurave, ndërsa 80 % e dha rritja ekonomike.
Ajo po ashtu, deklaroi se Shqipëria ka normën më të ulët të inflacionit ndër vendet e rajonit.
“Ne kemi normën e inflacionit në mars në vlerën më të ulët, ndër vendet e rajonit. Për produktet ushqimore ishte 9.3 % dhe nëse këtë do ta përkthejmë në shpenzime mesatare për një familje shqiptare do të kemi një vlerë mesatare prej 3 mijë lekësh në muaj. Dhe ky është vendimi që kemi marrë duke kompensuar vlerën e barabartë në vlerën e çmimeve të konsumit. Kemi alokuar 5.2 miliardë lekë me qëllim që të mbulojmë të gjithë rritjen e çmimeve. Ne mendojmë se një qeveri e përgjegjshme duket te vendimet e duhura të marra në kohën e duhur, që të garantojë rritjen ekonomike dhe këtë bëmë në nëntor, kur u bëmë mburojë për çmimin e rritur të energjisë elektrike duke mos lejuar të preken familjarët dhe biznesi i vogël”, u shpreh ministrja.
Ministrja iu përgjigj edhe kritikave të opozitës për eurobondin.
“U kritikuam për eurobondin, kur thamë se do të marrim një shumë më të lartë, pasi ne presim rritje të normave të interesit. Ja ku jemi sot. Nëse do të dilnim sot në treg do të merrnin një borxh me kosto më të lartë. Politikat që po ndërmarrim krijojnë siguri dhe stabilitet”, tha ajo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




