Nis rindërtimi i Spitalit Infektiv, Manastirliu: Do të jetë një qendër reference për sëmundjet infektive!

Spitali Infektiv në QSUT, qendra që përballoi barrën më të madhe të epidemisë së COVID 19 gjatë dy viteve të fundit ka nisur të rindërtohet.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, duke ndjekur nga afër fillimin e punimeve, tha se me këtë rast Spitali Infektiv do të organizojë dhe modernizojë shërbimin sipas standarteve më të mira për trajtimin e pacientëve.
“Investimi në Spitalin Infektiv është një investim i cili është planifikuar në kuadër të planit tonë të përgjigjes ndaj pandemisë Covid19 dhe impaktit të saj, por edhe për t’iu përgjigjur emergjencave të tjera, për t’a bërë Spitalin Infektiv një qendër të vërtetë reference për sëmundjet infektive” tha zonja Manastirliu.
Sipas saj janë 5.6 milionë euro që vendosen në dispozicion të këtij investimi nga qeveria shqiptare, me të gjithë pajisjet dhe sistemet e nevojshme që duhet të ketë një spital modern.
Kapaciteti i plotë i këtij spitali do të jetë 118 shtretër. Projektimi i dhomave te pacienteve është me presion ajri negativ për të mos lejuar qarkullimin e sëmundjeve infektive nga dhoma në ambientet e përbashkëta. Projekti parashikon dyfishim të kapaciteteve të reanimacionit dhe shtim të kapaciteteve do të ketë dhe në repartin e urgjencës. Spitali do të ketë të gjithë pajisjet e nevojshme të fjalës së fundit të teknologjisë si dhe do të investohet për të gjithë rrjetin e monitorimit të të të gjithë aktivitetit të spitalit, në ndërtimin e rrjetit të të dhënave, për monitorimin e pacientëve në kohë reale. Spitali i ri do të jetë i pajisur edhe me auditor dhe salla leksioni për studentët e mjekësisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




