PD akuzon kryeministrin Rama: Ka mashtruar për legalizimet!

Partia Demokratike e opozitës ka publikuar të premten një video të kryeministrit Edi Rama në fushatën zgjedhjeve të vitit 2013, ku ai zotohej para qytetarëve se me të ardhur në pushtet do ta drejtonte vetë personalisht procesin e legalizimeve.
Sipas PD-së, Rama i ka mashtruar shqiptarët para çdo palë zgjedhjesh se do t’u legalizonte shtëpitë dhe sot i nxjerr në mes të katër rrugëve qindra qytetarë të Tiranës duke u çuar dëm mundin dhe sakrificën e një jete.
“Edi Rama i ka mashtruar shqiptarët para çdo palë zgjedhjesh se do t’u legalizonte shtëpitë. U ka marrë votat e më pas u ka vënë rruspat për projekte korruptive si ai i 5 majit, ku një prej ndërtuesve është trafikant droge, për të cilin Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht Erjon Veliajn.
Sot Edi Rama po i nxjerr në mes të katër rrugëve qindra qytetarë të Tiranës duke u çuar dëm mundin dhe sakrificën e një jete.
Edi Ramës nuk i bëhet vonë për shqiptarët. Edi Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!”, thekson PD.
Reagimi i PD vjen ndërsa një ditë më parë kryeministri socialist Edi Rama mbrojti projektin e rindërtimit në zonën 5 majit në Tiranë, i cili parashikon prishjen e disa banesave dhe ndërtimin e një kompleksi të madh pallatesh. Por zbatimi i projektit ka sjellë kundërshtimin e mjaftë familjeve që po organizojnë protesta. “Unë besoj se te 5 maji të gjithëve u është dhënë haku që u takon dhe disave madje edhe më shumë se sa u takon. Tani duhet vetëm durim dhe besim, sepse njësoj siç po ndodh me të tërë ata që po përfitojnë nga Rindërtimi, do ndodhë edhe me ju atje” shkruan zoti Rama në rrjetet sociale.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




