Presidenti Meta kërkon krijimin e dekoratës “Mbretëresha Geraldinë”

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla me një letër ku i kërkon krijimin e dekoratës “Mbretëresha Geraldinë”.
Ai e propozon këtë dekoratë në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorin e rikthimit në atdhe të Familjes Mbretërore Shqiptare.
Në letrën për kryeparlamentaren, Meta thekson se: “Dekorata e lartë “Mbretëresha Geraldinë” do t’u dedikohet kryesisht, grave dhe vajzave shqiptare dhe të huaja, që me dashuri e pasion japin kontribut dhe promovojnë vendin tonë dhe vlerat e tij historike e kulturore, trashëgiminë tonë të pasur e të çmuar dhe përkatësinë tonë të fortë europiane”
Letra e Presidentit Ilir Meta:
E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit, viti 2022 shënon 100-Vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-Vjetorin e rikthimit në Atdhe të Familjes Mbretërore Shqiptare.
Në kuadër të këtyre dy momenteve të rëndësishme për vendin tonë, kam kënaqësinë të kërkoj bashkëpunimin tuaj, për të bërë të mundur krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.
Kjo dekoratë do të jetë vlerësim dhe mirënjohje për Mbretëreshën Geraldinë, e cila e deshi Shqipërinë dhe iu përkushtua, gjatë gjithë jetës së saj, me dashuri e pasion.
Dekorata e lartë “Mbretëresha Geraldinë” do t’u dedikohet kryesisht, grave dhe vajzave shqiptare dhe të huaja, që me dashuri e pasion japin kontribut dhe promovojnë vendin tonë dhe vlerat e tij historike e kulturore, trashëgiminë tonë të pasur e të çmuar dhe përkatësinë tonë të fortë europiane.
Jam i bindur që kjo dekoratë e lartë do të rris, njëkohësisht, ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë, mbi rolin thelbësor e të pazëvendësueshëm të grave e vajzave shqiptare, për sakrificat, përkushtimin dhe dedikimin e tyre ndaj familjes dhe shtresave më në nevojë dhe për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit tonë.
Propozoj që Dekorata “Mbretëresha Geraldinë” t’u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja, kryesisht grave dhe vajzave, kontributi dhe shërbimet e shquara të të cilave, lartësojnë rolin e kombit dhe të gruas shqiptare brenda dhe jashtë vendit, nën moton e Mbretëreshës Geraldinë “Detyrë dhe Dashuri”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




