Këshillimi Kombëtar, kryeministri Rama publikon pyetjen e parë mbi mbështetjen e nënave me shumë fëmijë

Kryeministri Edi Rama publikoi të enjten pyetjen e parë të formularit të Këshillimit Kombëtar, një nismë që synon marrjen e mendimit të qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë në Shqipëri.
Pyetja e parë e formularit ka të bëjë me mbështetjen që shteti duhet të ofrojë për nënat me 3 ose më shumë fëmijë.
“Ka njerëz që thonë se nënat që rrisin tre ose më shumë fëmijë të mitur duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti. Të tjerë thonë se shteti nuk duhet të bëjë diferencime as në këtë rast. Si mendoni ju?”, është pyetja që shtrohet në formular.
Pyetja ka edhe një sqarim të çështjes ku thuhet se, “në Shqipëri ka një numër të madh nënash me disa fëmijë, të cilat për të rritur fëmijët nuk shkojnë në punë ose edhe kur punojnë, janë në kushte më të vështira se të punësuarit e tjerë. Kujdesi për fëmijët e mitur, sidomos kur janë tre a më shumë, është i barabartë me një punë me kohë të plotë”.
Qytetarët kanë tre mundësi për të kthyer përgjigje. “Shteti shqiptar duhet të sigurojë mbrojtje të veçantë sociale për nënat me tre apo më shumë fëmijë të mitur, të punësuara apo jo. Nuk duhet dhënë mbrojtje e diferencuar sociale as për nënat me tre apo më shumë fëmijë të mitur, të punësuara apo jo. Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje”, janë mundësitë e përgjigjes në pyetësor.
Kush dëshiron mund të marrë pjesë duke klikuar në https://keshillimikombetar.al/”.
Në 5 janar të këtij viti, kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




