I ftohti siberian mbyll shkollat në Shqipëri, ministrja Kushi: Temperaturat do të shkojnë deri në – 17 gradë

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar të enjten se është vendosur që shkollat në Shqipëri të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën.
Vendimi i papritur vjen për shkak të parashikimeve meteorologjike, sepse në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, “të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius”, thekson Ministrja Kushi.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Kushi thotë se orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.
“Të dashur prindër! Ju lutem merrni masa për ju dhe fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i kapërcejmë sa më lehtë këto ditë të vështira të dimrit”, apelon ministrja.
Postimi i ministres së arsimit Evis Kushi
Të dashur nxënës, mësues dhe prindër!
Dua t’ju njoftoj se sot në MAS kemi marrë një vendim të rëndësishëm që lidhet me procesin mësimor të shkollave tona në fillim të javës së ardhshme.
Sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius.
Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.
Natyrisht nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta, dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, ne do ta rishikojmë këtë vendim dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rëndësi prioritare.
Të dashur prindër!
Ju lutem merrni masa për ju dhe fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i kapërcejmë sa më lehtë këto ditë të vështira të dimrit.
Shumë faleminderit për mirëkuptimin tuaj!
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




