“Kryeqyteti Europian i Rinisë”, Veliaj takim me sipërmarrësit e bareve dhe restoranteve për promovimin e Tiranës

Sociale | 5 vite më parë

Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë është një ftesë e hapur për të gjithë sipërmarrësit e bareve dhe restoranteve, që këtë vit të organizojnë sa më shumë aktivitete në mjediset e tyre. 

Ky ishte qëllimi i takimit të Kreut të bashkisë Erion Veliaj me sipërmarrës të bizneseve për të ndihmuar jo vetëm në promovimin e kryeqytetit, por edhe të ekonomisë lokale, duke shfrytëzuar vitin kur Tirana është epiqendra e të rinjve europianë. “Në vitin e Rinisë ne po operojmë si “Open Source”, ku secili merr logon e Kryeqytetit Europian të Rinisë dhe organizon aktivitetin e tij. Pra, të funksionojmë si burim të hapur, ku secili harton një program të caktuar. Edhe ky takim është një ftesë dhe një mundësi për të bashkëpunuar që ky vit të kthehet në një promovim për Tiranën, por edhe sipërmarrjet tuaja,” u shpreh Veliaj. 

Ai e vuri theksin sidomos te lokalet e natës, ku sipas tij, gjenerohet edhe një pjesë e madhe e ekonomisë së kryeqytetit. “Sot shumë njerëz e konsiderojnë biznesin e natës si diçka argëtuese, por jo domethënëse. Ndoshta, sepse nuk e dinë faktin se në këtë industri punojnë 10 mijë vajza dhe djem; nuk janë vetëm barmenët dhe kamerierët, por është një pjesë e madhe njerëzish që nuk shfaqen, si kuzhina, siguria, higjiena, taksitë, etj., pra është një reaksion zinxhir. Kur shikon sa i madh është ky zinxhir, atëherë e kupton se çfarë peshe ka në ekonominë e vendit,” deklaroi Veliaj. 

Kryebashkiaku i ftoi sipërmarrësit të shënojnë në kalendarin e tyre një aktivitet, duke marrë shkas edhe nga ngjarjet më të mëdha kulturore të vitit që ka planifikuar bashkia.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme