Realizohet me sukses operacioni i parë në zemër në spitalin “Shefqet Ndroqi”

Sociale | 5 vite më parë

Në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” është realizuar me sukses operacioni i parë në zemër. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila tha se kjo ndërhyjre ka nisur mbarë funksionimin e qendrës së dytë të kardiokirurgjisë të spitaleve publike.

“Është realizuar me sukses operacioni i parë në zemër në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, duke nisur mbarë funksionimin e qendrës së dytë të kardiokirurgjisë të spitaleve publike. Prof. Rezar Deveja, dr. Dervish Hasi, dr. Ketjon Menkshi, dr. Marjeta Bilaj, dr. Nereisa Rushiti, për kryerjen e operacionit të parë, me mbështetjen e prof. Ilir Ohri, prof. Arben Baboçi, prof.asc. Alma Cani dhe dr. Saimir Kuçi”, tha Manastirliu.

Shërbimi i ri i kardiokirurgjisë në spitalin universitar “Shfeqet Ndroqi” i jep një drejtim tjetër spitalit pasi përmbyll një cikël shumë të rëndësishëm sa i përket sëmundjeve kardiologjike, ku përveç shërbimit të hemodinamikës i investuar disa vite më parë, tashmë edhe shërbimi i kardiokirurgjisë siguron të realizojë mbi 400 ndërhyrje operatore në vit.

Investimi arrin në 1 milion euro dhe në shtator do të fillojnë operacionet e para, ndërkohë që nga janari 2022 vihet në kapacitet të plotë spitali.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme