Ndahet nga jeta profesori dhe studiuesi i shquar i jurisprudencës, Aleks Luarasi

Është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare profesori dhe studiuesi i shquar, Aleks Luarasi.
Akademia e Shqipërisë i ka shprehur ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të profesor Luarasit.
Prof. dr. ALEKS LUARASI u lind në fshatin Luaras të Kolonjës më 22 mars 1941. Arsimin parauniversitar e kreu në Korçë, studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të UT (1963).
Nga viti 1972 – 2002 ka punuar për 30 vjet në Fakultetin e Drejtësisë të UT si pedagog i lëndëve Filozofia e së drejtës dhe Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe ka qenë përgjegjës departamenti dhe Zv/Dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
Ai është autor i monografive “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut” (1998); “Studime për të drejtën zakonore shqiptare – Marrëdhëniet familjare” (2001); autor i teksteve universitare “Akte juridike për historinë e shtetit dhe të së drejtës në Shqipëri (2014), “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri” (2018), si dhe i një vargu artikujsh dhe referatesh.
Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i K.M. (1991) dhe anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Europës (1992 – 1998). Ai është themelues i Shtëpisë Botuese “Luarasi University Press” (1998) dhe i Universistetit “Luarasi” (2003).
Në vitin 2018 u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin “Pionier i Arsimit”, për kontributin e tij në formimin dhe konsolidimin e sistemit modern universitar në vendin tonë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




