Kushi: 950 milionë lekë për mbulimin e transportit, rishqyrtim i teksteve shkollore

Sociale | 5 vite më parë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha sot se në vitin 2022 do të rriten me 6% pagat për rreth 36 mijë punonjës të arsimit.

Ne fjalën e saj në prezantimin e buxhetit 2022 për Ministrinë e Arsimit, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Kushi tha se “në mandatin e kaluar pagat u rritën me 32% , ndërkohë që këtë mandat objektivi ynë është që pagat të rriten me 32% dhe e kemi filluar këtë që me buxhetin e parë. Për vitin 2022 pagat do të rriten me 6% për të gjithë punonjësit arsimorë, edukatorë dhe psiko-socialë në të gjitha shkollat tona në të gjithë vendin”.

Sipas saj, një nga zërat më të rëndësishëm për buxhetin e vitit 2022 do të jetë përmirësimi i infrastrukturës shkollore.

“Gjatë viteve të kaluara ne kemi ndërtuar apo rikonstruktuar më shumë se 300 shkolla në të gjithë vendin, pa përfshirë këtu 70 shkollat që sapo kanë përfunduar me programin e madh të rindërtimit, të gjitha sipas standardeve më të mira bashkëkohore”, nënvizoi Kushi.
Ne, vijoi ministrja, jemi të vetëdijshëm që ende nuk kemi bërë aq sa duhet për infrastrukturën e brendshme shkollore, me laboratorë, pajisje e teknologji që të mund të garantojnë një arsim cilësor për nxënësit tanë.

“Buxheti i vitit 2022 parashikon 400 milionë lekë për të furnizuar rreth 100 shkolla me laboratorë didaktikë bashkëkohorë, për lëndët e fizikës, kimisë dhe biologjisë si dhe 570 milionë lekë për fuqizimin e laboratorëve të informatikës. Fillimisht do të furnizojmë 100 shkolla, më tej do të vijojmë me të njëjtin ritëm edhe për vitin 2023 dhe 2024”, tha Kushi.

Duke vënë në dukje sakrificën e mësuesve në zonat e largët rurale ku transporti është i vështirë dhe nxënësit mësojnë në klasa kolektive, Kushi tha se “edhe pse në 5 vite kemi arritur ta përgjysmojmë numrin e këtyre nxënësve përsëri mbetet një nga sfidat tona të mëdha”.

“Me buxhetin e vitit 2022 me një fond prej 950 milionë lekësh do të sigurojmë mbulimin e shpenzimeve të transportit për rreth 35 mijë nxënës, që banojnë më shumë se 2 km larg shkollës, si dhe transportin për 12 mijë mësues që punojnë 5 km larg nga vendbanimi. Me risinë që duke filluar nga janari i 2022, rimbursimi i biletës për transportin e nxënësve do të jetë 50% më i lartë”, shtoi Kushi.

Sa i përket teksteve shkollore Kushi tha se “ia kemi dalë që me një buxhet prej 1.1 miliard lekë çdo vit të ofrojmë tekste shkollore falas në përdorim për rreth 280 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë nga klasa e parë deri në klasën e 9-të , por edhe 20 mijë nxënës të arsimit të mesëm të lartë nga shtresa sociale ne nevojë. Me angazhimin që prej vitit të ardhshëm të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë do ti kenë tekstet falas vetëm me një përdorim”.

Kushi bëri të ditur se kemi filluar nga puna për të rishikuar në detaje të gjithë tekstet shkollore të arsimit parauniversitar për të korrigjuar çdo pasaktësi apo pasqyrim jo të saktë të realitetit, pse jo të ngremë në një nivel më të lartë programin tonë, por për ta bërë edhe më të lehtë punën e mësuesve.

Ministrja tha se me një buxhet prej 20 milionë lekësh do vazhdojmë pasurimin e fondit të bibliotekave në shkollat tona me literaturë shkencore dhe artistike të rekomanduara nga ekspertë të pavarur të fushave.

Për nxënësit me nevoja të veçanta, Kushi tha se “kemi planifikuar 110 milionë lekë për shkollat e arsimit special duke përfshirë Institutet e nxënësve që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë. Me angazhimin e madh që së shpejti ti kthejmë këto shkolla në qendra burimore. Po ashtu me një buxhet 110 milionë lekë do të ofrojmë bursa për nxënësit me nevoja të veçanta apo fëmijët që vijnë nga shtresat në nevojë me qëllim uljen e braktisjes e shkollës”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme