Pas Budapestit, edhe Praga do të ketë sheshin me emrin “Skënderbej”

Si në shumë kryeqytete të botës, edhe në kryeqytetin çek Pragë do të ketë një shesh “Skënderbej”. Pas Budapestit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar edhe Pragën, pas vendimit më të fundit të Këshillit Bashkiak të këtij qyteti për t’i dhënë një prej shesheve kryesore emrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryebashkiaku Veliaj pas takimit me kryetarin e bashkisë së Pragës, Zdenek Hrib. “Është gjithmonë kënaqësi takimi me kryetarin e Pragës, mikun tim Zdenek Hrib. Si shumë kryeqytete të botës edhe Praga do të ketë një shesh me emrin “Skënderbej”, në nderim të heroit tonë kombëtar! Mirënjohje Zdenek dhe Këshillit Bashkiak të Pragës për nismën,” shkruan Veliaj.
Tre muaj më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përuroi në Budapest së bashku me homologun e tij, Gergely Karácsony, bustin e heroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeu në parkun qendror të kryeqytetit hungarez. Busti, dhuratë nga Bashkia e Tiranës për qytetin e Budapestit, u vendos përballë memorialit të bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




