Ardhja e pranverës në fshatin Suhë

Në këto ditë pranverë kur natyra e gjithë ka nisur te zgjohet dalë ngadalë, banorët e fshatrave kanë nisur të merren me punët e stinës.Teksa i shikon, duket se kanë harruar virusin i cili ende është prezent në vendin tonë. Sot udhëtuam drejt fshatit Suhë në Bashkinë e Libohovës. Një fshat jo më shumë se 24 km larg qytetit të Gjirokastrës, me natyrë mjaft tërheqëse. Ky është një fshat që shumicën e banorëve e ka të moshës se tretë por pa munguar edhe të rinj. I pari që takojmë në fshat, është Viktor Çaro një zotëri nja 63 vjeç që e gjejmë në rrugicat e fshatit duke punuar e ndërsa n’a drejton drejt shtëpisë së tij për të n’a mikpritur ashtu siç dinë banorët e Suhës, n’a tregon për fshatin e tij të dashur.
“Fshati Suhë është një fshat me një klimë shumë të mirë. Në këtë fshat mund të kultivohen të gjitha perimet pasi është një fshat që do të gjitha pemët dhe me pak punë, mund të arrish të gjitha këto dhe të jetosh për mrekulli sepse të lejon të mbash edhe bagëti të imta dhe të trasha.
Momentalisht merremi me mbjelljet e pranverës, për shembull kemi mbjellë hudhrat, qepët, patatet dhe përgatitim tokën për të mbjellë barbunjat, specat, patëllxhanet, etj. Kjo është shtëpia ime, urdhëroni. Kjo klimë që kemi, lejon të mbillen edhe agrumet. Ky ka qënë një fshat i populluar shumë dhe tepër aktiv si në punët e bujqësisë por edhe në aktivitete të tjerë, sportivë, kulturorë por kohët ndryshuan.Pas 90-ës ky fshat filloi te emigronte”, tregon Viktor Çaro
Veç përditshmërisë dhe punëve të stinës, z.Çaro flet edhe për një traditë të hershme të fshatit Suhë, traditën e dardhave. Dardhat e Suhës mbushnin tregun në periudha të ndryshme, kujton ai me nostalgji.
“Për fat të këq këtu është bërë një masakër e madhe, fshati ynë ka qënë i dëgjuar për dardhat madje mbante gjithë tregun me dardha nga të gjitha llojet që fillonin në qershor dhe mbaronin në dimër. Për fat të keq ajo marrëzi që karakterizoi gjithë shqiptarët që prishën e shkatërruan c’do gjë me preteksin se ishin të Enverit, e pësuan edhe dardhat e famshe që u prenë masivisht”, shprehet Çaro.
Pasi largohemi, nëpër fshat takojmë banorë të tjerë, kryesisht të moshuar që punojnë nëpër kopshtet e tyre dhe ndërkohë n’a tregojnë se veç bahçeve, banorët e Suhës merren edhe me punimin e tokave edhe blegtorinë gjatë kësaj stine të bukur pranverore.
“Tani punojmë bahçet, mbjellim qepë, patate, majdanoz, mbjellim lule e kështu e kemi përditshmërinë. Ka plot toka fshati ynë, disa punohen, disa i kemi lënë me qera edhe blegtoria zhvillohet këtu”, shprehen banorët e tjerë.
Në këtë zonë falë bukurive dhe burimeve të shumtë natyrorë, vitet e fundit ka patur një numër të konsiderueshëm vizitorësh thonë banorët ndërkaq për shkak të pandemisë, këtë vit ata mungojnë. Veç të tjerash, banorët e Suhës duket së kanë më shumë për t’u ofruar vizitorëve me mikpritjën dhe dashamirësinë e tyre me gatimet tradicionalë duke pasuruar kështu kulturën dhe ekoniminë e fshatin.
“Viteve të kaluar kishim turistë, tani nuk ka patur, shkak është pandemia. N’a mungojnë shumë, kur ata vinin ose edhe kalonin këtu i gjithë fshati qe i gjallëruar por pandemia n’a ka lënë kështu as fëmijët nuk vijnë dot”, shprehen banorët.
Në fshatin Suhë të bashkisë së Libohovës, kanë ngelur tashmë diku tek 50 banorë të cilët kërkojnë më shumë investime për të zvhilluar agroturizmin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




