Aston Vila, në kërkim të një trajneri

Angli | 4 vite më parë

Aston Vila është në kërkim të një trajneri të ri, pasi Stivën Xherrard u shkarkua të enjten në mbrëmje vonë nga detyra, pasi humbje 0-3 të pësuar në fushën e Fulhamit. Ish-lojtari i Liverpuli e lë skuadrën nga Birmingami në buzë të greminës së zonës së ftohtë të rënies nga Premier Liga Angleze, por vetëm falë golaverazhit, teksa marrë vetëm 9 pikë nga 11 ndeshjet e para të këtij sezoni. Tifozët e Aston Vilës bënë thirrje për shkarkimin e Xherrardit drejt fundit të humbjes së të enjtes, duke iu drejtuar stolit të tij me kore të shpeshta dhe të ashpra.

 42-vjeçari erdhi me bujë tek Aston Vila, pasi kishte udhëhequr më herët Gllasgou Rejnxhërsat drejt rikthimit, pas shumë vitesh, tek titulli “kampion” dhe pasi bëri edhe disa blerje interesante. Por shpejt ai u përball me realitetin e hidhur dhe të ashpër të një trajneri të Premier Ligës Angleze dhe, diçka më tepër se një orë pas përfundimit të ndeshjes me Fulhamin, pranoi largimin nga stoli i skuadrës nga Birmingami.

Duhet theksuar se Aston Villa është në kërkim të një trajneri për herë të dytë brenda 12 muajve të fundit dhe në listën e kandidatëve që janë përmendur janë ish-trajneri argjentinas i Totenhemit dhe Paris SG-së, Mauricio Poçetin, ish-trajneri i Arsenalit, Seviljes dhe Vijarealit, Unai Emeri, ish-ndihmësi i Xherrardit tek Gllasgou Rejnxhërs, Majkëll Bil, që drejton hëpërhë QPR-në, ish-trajneri i Bërnlit, Shon Dajks dhe ai i Brentfordit, Tomas Frank.

Një nga emrat e përmendur ishte edhe ai i ish-trajnerit të Çellsit, Tomas Tuhel, por ky i fundit e ka hedhur poshtë mundësinë e uljes për bisedime me Aston Vilën.

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme