Mançester Junajtid “pezullon” Kristiano Ronaldon

Kristiano Ronaldo nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Mançester Junajtid që do të udhëtojë të shtunën drejt Londrës për përballjen me Çellsin. Ky vendim është marrë nga trajneri Erik ten Hag pasi Ronaldo u largua në mënyrë demonstrative nga fusha para mbylljes së ndeshjes ndaj Totenhemit, të cilën “Djajtë e kuq” e fituan me shifrat 2-0 dhe me një lojë bindëse.
“Kristiano nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Mançester Junajtid për ndeshjen e së shtunës ndaj Çelsit”, – thuhej në një deklaratë të shkurtër të klubit. Të mërkurën në mbrëmje vonë u mësua se Ronaldo ishte larguar menjëherë nga “Olld Traford”-i para fishkëllimës finale të ndeshjes, pa u ndalur fare në dhomat e zhveshjeve. Mediat britanike raportuan se largimi i tij i parakohshëm nuk ndikoi në atmosferën e “Djajve të kuq”, pasi lojtarët e festuan zhurmshëm fitoren.
Sidoqoftë, klubi anglez lëshoi të enjten në mbrëmje një deklaratë, duke konfirmuar se portugezi nuk do të jetë i pranishëm në sfidën me “Blutë” e Londrës. “Kristiano nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Mançester Junajtid për ndeshjen e së shtunës ndaj Çelsit”, – thuhej në deklaratën, që më tej shtonte: “Pjesa tjetër e skuadrës është plotësisht e përqendruar në përgatitjet për këtë ndeshje.” Po kështu, mediat britanike raportojnë që Ronaldo është porositur që të stërvitet vetëm.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




