Kristiano Ronaldo, si një “bankomat” që ecën

Angli | 5 vite më parë

Jo vetëm një 3-golësh, por edhe një shpërblim prej 850 stërlinash angleze për Kristiano Ronaldon, por edhe me shpërblime të tjera të majme në pritje. Mançester Junajtid kishte nevojë që Kristiano Ronaldo ta shpëtonte dhe, përveç fitores, 3-golëshi kundër Noruiç Sitit i ka siguruar atij edhe një shpërblim të majmë. Ylli portugez e udhëhoqi skuadrën drejt një epërsie të dyfishtë në sfidën e zhvilluar në “Olld Traford”, por skuadra mike, në radhët e të cilës militon edhe ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi, tashmë i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, arriti të barazonte shifrat, madje të rrezikonte edhe t’i përmbyste ato.

Por Ronaldo gjeti golin e fitores me një goditje të fuqishme, që mposhti portierin holandez të miqve. Kristiano Ronaldo ka shënuar tashmë 21 gola për Mançester Junajtid këtë sezon dhe paraqitja e tij është bërë shpesh shpëtimtare për “Djajtë e kuq”, përtej formës së dobët të tyre, në përpjekje për të siguruar vendin në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. 37-vjeçari u rikthye tek gjigandja angleze verën e shkuar, pas 12 vitesh të kaluara tek Reali i Madridit dhe Juventusi.

Dhe mediat britanike kanë zbuluar se në kontratën e tij janë përfshirë disa shpërblime shtesë dhe një prej tyre ishte një shpërblim shtesë prej 750,000 stërlinash nëse ai kapërcen kufirin e 20 golave të shënuar. Përveç kësaj, ai shpërblehet me 100,000 stërlina për çdo gol. Duhet theksuar se Kristiano Ronaldo ka shënuar të paktën 20 gola në 16 sezonet e fundit, duke nisur që nga sezoni i tij i parë tek Mançester Junajtid.

Kur kanë mbetur edhe 6 ndeshje për t’u luajtur, 5 herë fituesi i “Topit të Artë” mund të përfitojë edhe shpërblime të tjera shtesë, teksa mbetet shtylla e sulmit të “Djajve të kuq”. 37-vjeçari do të përfitojë edhe 1 milionë stërlina shpërblim shtesë nëse e mbyll sezonin si shënuesi më i mirë i skuadrës. Dhe kjo është thuajse e sigurt sepse ndjekësi i tij më i afërt, bashkëatdhetari Bruno Fernandesh, ka shënuar vetëm 9 gola.

Me pak fjalë, Nr. 7 i Mançester Junajtid është praktikisht një “bankomat” që ecën. Edhe pse e ka kohën kundër, nëse ai do të shënojë 30 gola këtë sezon, portugezi do të përfitojë edhe 2.75 milionë stërlina të tjera shpërblim, për t’ia shtuar rrogën së tij faraonike.

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme