Liverpuli, Salah kërkon pagën e Ronaldos

Liverpool dhe Momo Salah janë shumë pranë finalizimit të kontratës së re që mund t’i lidhë përjetësisht palët. Sulmuesi egjiptian ka pranuar ofertën e të kuqve për ta vazhduar karrierën në Anfield Road, pavarësisht ofertave të shumta që ka marrë gjatë muajve të fundit. Sipas Daily Mail, Salah refuzoi 400 mijë paund në javë në ofertën e dhjetorit por Liverpool e ka ridimensionuar ofertën duke shtuar edhe 100 mijë pound më shumë për ta kompletuar ofertën në 500 mijë.
Ishte vetë 29 vjeçari nga Afrika veriore që kërkoi shumën në fjalë dhe pronarët aktualë të Liverpool do t’ia plotësojnë dëshirën për të mos humbur shërbimet e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të organikës së Jurgen Klopp.
Nëse marrëveshja do të firmoset, atëherë Salah do të barazonte pagën e Cristiano Ronaldos te Manchester United ndërsa në Anfield ai do të behej lojtari më i paguar i historisë duke rrëzuar çdo hierarki dhe rekord të së shkuarës. Gjithsesi, firma në kontratë nuk është ende e sigurt pasi ka edhe tabloide skeptike rreth të ardhmes së Salah tek Liverpool. Kontrata aktuale e lojtarit skadon në vitin 2023 ndërsa që prej janarit të vitit të ardhshëm ai mund të firmosë me skuadrën që dëshiron nëse nuk gjen gjuhën e përbashkët me “The Reds”.
PSG, Barcelona dhe Real Madrid kanë shfaqur interes konkret por lojtari mbetet shumë i lidhur me tifozët në “Merseyside” dhe ky ndoshta është një nga shkaqet që mund ta shtyjë atë për të firmosur marrëveshjen e re 4-vjeçare që do të thotë se praktikisht ai mund ta mbyllë pjesën e artë të karrierës në radhët e skuadrës së dytë më të titulluar të Anglisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




